E diela ishte ditë zie në Izrael, me flamujt të ulur në gjysmë shtizë, pas vdekjes së 45 personave në një festival fetar hebre, raporton Reuters.
Viktimat po merrnin pjesë në festën Lag BaOmer, një festë hebraike, në të cilën besimtarët kujtojnë përvjetorin e vdekjes të Rabbi Shmon bar Yochai.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, duke e bërë atë si ngjarjen më të madhe të organizuar që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.
Ngjarja u konsiderua si një nga katastrofat më të këqija civile të vendit.
Në përputhje me traditën hebraike, funerali i viktimave u zhvillua pa humbur kohë.
Më shumë se 20 nga viktimat e katastrofës në malin Meron u varrosën brenda natës, pasi përfundoi identifikimi zyrtar.
Media izraelite vlerësoi se rreth 100,000 njerëz morën pjesë në ceremoninë fetare të premten, eventi më i populluar qysh prej shpalljes së pandemisë.
Qeveria dhe policia po përballen me kritika, pasi nuk kanë vendosur kufizim mbi numrin e pjesëmarrësve në festival – etiketuar i rrezikshëm vite më parë- për të mos zemëruar rabijt dhe politikanët me ndikim ultra-ortodoks.
“Kërkohet një hetim i plotë,” dekalroi Ministri i Kulturës, Hili Tropper për radion publike Kan.
“Kjo katastrofë e tmerrshme do t’i ndihmojë të gjithë të kuptojnë … se nuk duhet të ketë vend ku shteti të mos vendosë rregulla.”
Ministria e Drejtësisë tha se hetuesit do të shikonin nëse kishte pasur ndonjë abuzim nga ana e policisë.
Por komisioneri i policisë Yaakov Shabtai, në një mesazh drejtuar forcës policore, tha se policia nuk duhet të veçohet.
“Jemi duke punuar për të zbuluar të vërtetën dhe për të nxjerr mësime të vyera dhe të ekuilibruara për të gjitha organizatat e përfshira në këtë ngjarje komplekse,” tha ai.
Zyrtarët e policisë dhe qeveriarajonale pretendojnë se Mali Meron administrohet nga katër grupe fetare private të ndara, duke e bërë të vështirë mbikëqyrjen.