
Kabineti i ministrave dhe ekspertëve mbi koronavirusin në Izrael vendosi të hënën fillimin normal të vitit shkollor më 1 shtator, pas sugjerimeve të fundit për shtyrje për shkak të rritjes së infektimeve.
Për më tepër, u vendos që nxënësit mbi 12 vjeç do të vaksinohen në shkolla, pas autorizimit nga prindrit.
Ministri i Arsimit Yifat Shasha-Biton e kishte kundërshtuar fillimisht këtë plan, sipas një raportimi nga e përditshmja Haaretz, por ra dakord për të shmangur shtyrjen e fillimit të vitit akademik.
Gjithashtu, për nxënësit që kanë qënë në kontakt me persona të infektuar parashikohet karantina 2-javore, në një përpjekje për të përmbajtur përhapjen e virusit në ambientet shkollore.
Ndërkohë, stafi i shkollave dhe fakulteteve duhet ose të jetë i vaksinuar ose të paraqesë një test negativ periodikisht për të vijuar punën në institucionet arsimore në vend.
Gjatë javës së shkuar Izraeli shënoi 198 viktima nga COVID-19, prej të cilave 40 vdekje vetëm gjatë fundjavës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.