Pak pushim nga ushëtimet. Kthehemi në Shqipëri me një recetë tradicionale: Larash me qepë të njoma.
Pak histori:
Janë në perfundimin e tyre qepët e njoma, por kjo recetë mund të bëhet me presh apo me lakra të egra. Pjesa jeshile e qepëve përmban vlera të ndryshme nga pjesa e bardhë e zhardhokut, prandaj është shumë e rëndësishme të konsumohen të dyja.
Tradicionale në treva të ndryshme, ky gatim ndryshon emërtimin sipas zonës.
Në zonën tonë quhet larash per faktin se mielli i misrit përzihet me mbushjen dhe formon njolla apo lara në siperfaqe.
Për 4 persona nevojiten:
- ½ kg qepë të njoma.
- 1 vezë
- erëza,mente,kopër
- 1 gotē kos
- 3 lugë gjelle djath të bardhë të thërrmuar
- 3 gota miell misri
- 1 gotë miell gruri
- 1 gotë qumësht.
- 1 fixhan kafeje vaj ulliri
Presim qepët hollë ,pjesën jeshije si dhe pjesën e bardhë dhe i fërgojmë në një tenxhere me vaj. I fërgojmë duke i trazuar vazhdimisht.
Pasi reduktohet volumi i tyre dhe kanë filluar të squllen i hedhim një dorë miell dhe gotën me qumësht,kripë dhe i lëmë të ziejnë pak. E heqim nga zjarri dhe i shtojmë vezën dhe e trazojmë përsëri.
Ndezim furren në 250 gradë.
Tek kjo tenxhere ku kemi gjellën hedhim,vajin, kosin,djathin dhe duke trazuar hedhim gotën e parë të miellit të misrit, të dytën miellin e grurit dhe vazhojmë me miell misri deri sa masa të trashet por të mos jetë e vështirë për t’u trazuar.
Lyejme tepsinë me vaj dhe shtrojmë masën duke e sheshuar me dorën pak të lagur. I hedhim pak vaj persipër duke e përhapur përseri me dorë dhe e fusim në furrë në 250 gradë.
Jamystic ju këshillon:
Masa e miellit varet nga masa e gjelles se berë kështu që miellin hidheni gradualisht deri sa masa të trashet por jo aq sa të veshtiresojë trazimin me lugë.
Erëzat janë një element shumë i rëndësishëm. Unë përdor edhe cumin edhe curry në gjellën me qepë. Në preferencën time larashi shoqërohet shumë mirë me një salcë kosi të përzier me koper.