JaMystic përseri në udhëtim. Shkojmë kësaj here në Vietnam për Nem (byreçka pranverore), spring rolls.
Nem janë specialitet vietnamez dhe njihen ndryshe edhe si brumi mbretëror për shkak të shumëllojshmërisë së përbërësve të tyre.
Ato mund të bëhen me tre lloj mbushjeje, me mish derri, mish pule dhe me mish gaforreje.
Per 16 copë duhen:
- 3 karrota
- ½ lakër të bardhë
- 1 pako me makarona orizi( gjenden tek dyqanet specifike për erëzat)
- 1 pako petë orizi (gjenden tek dyqanet specifike për erëzat)
- 1 fileto pule e skuqur e bërë në fije (unë e zëvendësova me proshutë)
- pak majdanoz të grirë
- Kripë piper
- 2 të verdha vezësh
Për salcën
- 1 lugë gjelle uthull molle
- 1 lugë sheqer të kuq
- 1 lugë gjelle soja
- 2 lugë ujë
- gjethe menteje të freskët
Përzjejmë të gjitha , lakrën, majdanozin, karotat, pulën ( proshutë) dhe u hedhim kripë piper e vaj dhe i shtypim me dorë që të t’a thithin kripën dhe i lëmë për 30 min që të nxjerrin lëngun e tyre.
Në një enë hedhim ujë të nxehtë dhe fusim makaronat e orizit për 20 min.
I kullojmë nga uji.
Marrim në një enë qelqi ujë të ngrohtë. Si fillim e fusim petën e orizit në ujë të ngrohtë, numërojmë deri në 3 dhe e heqim me kujdes për ta vendosur në një pllakë druri .
Marrim një lugë nga përzierja e perimeve e shtrydhim nga uji dhe e vendosim në qendër.
Marrim edhe pak makarona orizi dhe i pozicinojmë me perimet.
Tërheqim petën dhe duke e mbajtur shtrënguar masën e rrotullojmë dy herë pastaj palosim anët dhe vazhdojmë rrotullimin.
Përfitojmë kështu një mini byrek në formën e një dollmaje.
E përsërisim veprimin me të gjitha petët.
Pasi i kemi palosur të gjitha i vendosim me rradhë në një tavë të lyer me yndyrë dhe mbi të i lyejmë me furçë me të verdhën e vezëve dhe i vëmë në furrë për 20 min nga njëra anë dhe 15 nga ana tjetër.
Për salcën . Përziejmë uthullën e mollës me sheqerin,sojën dhe ujin dhe i trazojmë deri sa sheqeri të shkrihet.
Gjethet e mentes i vendosim sa herë hamë një byrek sepse kombinimi i tyre bashkë me salcën japin një shije të veçantë..
Jamystic këshillon: Mbushja e byrekëve mund të bëhet edhe vetëm me perime për ata që nuk e konsumojnë mishin. Në dyqanet e specializuara gjendet edhe salca të gatshme për spring rolls.