JaMystic ju fton të provojmë së bashku një recetë shumë të thjeshtë: Pulë me mustardë.
E vetmja vështirësi e kësaj recete është të gjeni mustardë franceze. Por ju siguroj, që po të kërkoni në ndonjë dyqan pak më të specializuar e gjeni.
Për 4 persona nevojiten:
- 1 pulë mesatare (unë e zgjedh me lëkurë të verdhë);
- 2 qepë të shëndetshme;
- 2 thelpinj hudhër;
- 3-4 gjethe dafinë;
- 3-4 degë trumzë;
- 1 kub koncentrat pule;
- 3 lugë gjelle mustardë;
- 6-7 kokrra patate;
- Piper e kripë;
- Enë qelqi me kapak që shkon në furrë.
Ndezim furrën në 250 gradë
Qërojmë patatet , qepët dhe hudhrat dhe i presim në copa të plota.
Pulën e pastrojmë nga pjesët e dhjamura dhe me një letër thithëse i fshijmë lëkurën e barkut dhe e vendosim në qendër të enës së qelqit.
E lyejmë me një shtresë të trashë mustarde gjithë sipërfaqen e barkut .
Rreth e rrotull i vëmë patatet, hudhrat, qepët dhe u hedhim përsipër pak kripë e piper dhe një fije vaj ulliri.
Në një gotë me ujë të ngrohtë tresim kubin e koncentratit të pulës dhe e hedhim sipër perimeve.
Infiltrojmë edhe gjethet e dafines dhe të trumzs dhe i vëmë kapakun.
Ena e mbuluar futet në furrë për dy orë në 200 gradë.
Jamystic ju këshillon : Një pjatë e shijshme del kur përzgjedhim produkte të mira.
Përkujdesuni të zgjidhni një pulë cilësore dhe sidomos patatet të përdoren ato që brenda e kanë brumin e verdhë.