Domatet po fillojnë të mbushin tregun dhe kanë shumë shije tani që janë në sezonin e tyre.
Jamystic përdor gjithnjë frutat apo perimet e sezonit pasi ato kanë shijen e vërtetë të natyrës.
Receta e sotme është e thjeshtë: Domate të mbushura me mish.
Për 4 persona duhen
- 4 domate të bëra (preferenca ato me ngjyrë rozë)
- 1 qepë e thatë
- 150g mish të grirë
- 2 thelpinj hudhër
- 1 vezë
- 40g gjalpë
- 3 lugë gjelle buke të thekur
- majdanoz, kripë,piper
Ndezim furrën në 250 gradë.
U heqim domateve pjesën e sipërme në formë kapaku. Me një lugë gjelle u heqim tulin edhe farat dhe i lëmë kokëposhtë të kullojnë lëngun e mbetur. Ndërkohë përgatisim mbushjen.
Grijmë qepë, hudhër, majdanoz dhe i fërgojmë në një tigan me yndyrë deri sa qepa të bëhet transparente dhe e heqim nga zjarri.
Marrim një enë qelqi dhe shtojmë mishin e grirë dhe masën e kaurdisur dhe i përziejmë duke shtuar edhe vezën, bukën e thekur, kripë piper.
E mbushim çdo domate me këtë masë, i mbulojmë me kapakun përkatës dhe i fusim në furrë në një enë të yndyrosur më parë.
30 minuta në 220 gradë dhe 10 minuta në 250 gradë duke jua hequr kapakun domateve.
Jamystic këshillon: Kjo pjatë mund të shërbehet siç është ose e shoqëruar me oriz basmati.