Kryetari i komisionit për Zgjedhjet në Partinë Demokratike, Jemin Gjana ka zbuluar se listat e anëtarëve të PD që do të votojnë në 13 qershor i ka vetëm punonjësi i IT në PD dhe Sekretari Organizativ.
Në një intervistë për ABC News, Gjana u shpreh se listat nuk mund të bëhen publike pasi nuk e lejon ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Nuk e ka as unë, as kryetari. Kemi një punonjës IT, ky dhe sekretari organizativ i PD janë njerëzit përgjegjës për të hyrë në sistem”, ka deklaruar Jemin Gjana.
Debati lidhur me listat e anëtarësisë së PD lindi pas shpalljes së zgjedhjeve për kryetar që do të zhvillohen në 13 qershor.
Tre kandidatët përballë Lulzim Bashës, janë shprehur se ky i fundit ka listën e plotë të anëtarëve që do të votojnë në zgjedhje ndërsa atyre nuk i është dhënë.
Kjo gjë ka çuar në pretendime për garë të pabarabartë.
Megjithatë Gjana ka thënë gjithashtu se nxjerrja e kësaj liste nga personat që kanë akses në të mund të sjellë përgjegjësi ligjore për ta.