Statuja e Winston Churchill mund të vendoset në museum për tu mbrojtur nëse vazhdojnë protestat, tha mbesa e Churchill. Protestuesit shkruan “racist” në statujën e Churchillit javën e kaluar.
Emma Soames, mbesa e Churchill i tha BBC se kryeministri i kohës së Luftës ka qënë “një njeri i ndërlikuar” por ai konsiderohet hero nga miliona njerëz. Ajo tha se u trondit kur pa se si ishte dhunuar monumenti i Churchillit në sheshin e Parlamentit në Londër.
Soames tha se ishte “jashtëzakonisht e trishtë që gjyshi i saj, i cili ka qënë një figurë simbol i bashkimit të vendit, është kthyer në një figurë të diskutueshme. Por unë mendoj se Sheshi i Parlamentit do të jetë i varfër pa atë statujë”, shtoi ajo.
Kryeministri Boris Johnson e dënoi vandalizmin ndaj statujës së Winston Churchill, duke e quajtur atë një veprim “të papranueshëm” kundër statujës së personit që shpëtoi vendin nga “tirania fashiste dhe raciste”.
Përmes një sërë postimesh në Twitter, Johnson shkroi se:
“Është absurde dhe e turpshme që ky monument kombëtar rrezikohet nga sulmet e protestuesve të dhunshëm. Po, ai ndonjëherë ka shprehur opinone që ishin të papranueshmë për ne sot, por ai ishte një hero, dhe e meriton plotësisht memorialin e tij.
Ne nuk mund të rishkruajnë apo të censurojnë të shkuarën tonë. Ne nuk mund të pretendojmë të kemi një histori tjetër. Statujat në qytetet tona janë vendosur aty nga gjeneratat e mëparshme.
Ata kanë prespektiva të ndryshme, kuptime të ndryshme të së drejtës dhe të së gabuarës. Por ato statuja na mësojnë ne të shkuarën tonë, me të gjitha gabimet e saj. Ti hedhësh ato poshtë do të thotë të gënjesh për historinë tonë, dhe të varfërosh edukimin e brezave pasardhës”.
Johnson ka shkruar biografinë e Winston Churchill, një libër i sukseshëm shumë i shitur, ndaj ai është përfshirë personalisht në këtë ngjarje.