Ju ka marrë malli për sufllaqe?
E pra JaMystic ju propozon t’i bëni ato në shtëpi. Të shijshme dhe mbi të gjitha të shëndetshme për të gjithë pjestarët e familjes tuaj.
Nuk po hyjmë në debat nëse kjo recetë është greke apo turke, por për një gjë biem dakord të gjithë besoj se ato janë shumë të shijshme.
JaMystic ju propozon recetën e piteve me kos ndërsa mbushjen po e lë në fantazinë tuaj.
Për 8 pite me kos nevojiten:
- 500g miell
- 220 g kos
- 2 lugë vaj ulliri
- 1 lugë kafeje sodë
- 1 lugë kafeje kripë,
- piper,
- 1 lugë kafeje rigon,
- 1 lugë kafeje sheqer.
Përzjejmë masën e thatë si fillim, miellin, sodën, kripën, piperin, rigonin, sheqerin në një enë qelqi.
I hedhim mbi të kosin dhe e përzjejmë me lugë deri sa të arrijë të laget masa.
I hedhim vajin dhe pastaj e punojmë pak me dorë brumin deri sa ta mbledhim në një top. Vaji do të na ndihmojë pikërisht për këtë.
I vëmë një film plastik dhe e mbulojmë enën me një rrobë të leshtë që ngrohtësia të ndihmojë në fryrjen e brumit. E lëmë të qetësohet për 4 orë.
Pastrojmë planin e punës dhe e vajosim atë.
E presim brumin ne topa sa një grusht dhe i rrumbullakosim ato. Ndërkohë vëmë tiganin në zjarr tek nr 8. Unë zgjodha një tigan të madh që të kisha mundësi ta shtroja rehat petën.
Marrim një top dhe me petës të trashë e shtrojmë petën në trashësinë e një monedhe , e hollë por jo e tejdukshme. Nqs është nevoja lyeni me pak vaj edhe petësin.
Peta duhet me diametër pak më shumë se një pëllëmbë. Mos u dekurajoni nqs peta e parë nuk ju del mirë pasi duhet të gjeni ekuilibrin e përshtatshëm midis vajosjes se vëndit, petësit dhe brumit.
Se na u dogj tigani :-).
Marrim petën me petës duke e rrotulluar në gjysëm dhe e shtrojmë gradualisht mbi tiganin e thatë dhe të nxehtë.
Pas disa sekondash kur shohim që po ndryshon ngjyrë në të bardhë e kthejmë nga ana tjetër dhe bëjmë pjekjeje të plotë pastaj e rrikthejme nga faqja e parë dhe e pjekim edhe nga ajo anë. E përsërisim veprimin për çdo pite.
Pitet e pjekura i mbulojmë me një enë që të mos humbasin lagështirën ndërkohë që përgatisim mbushjen..
Jamystic këshillon: Mbushja e tyre mund të jetë e shumë llojshme , me spinaq rikota, gjize me hudhra, mish i grirë me erëza, mbetje nga një pulë e pjekur, fërgesë me mëlçi ose me speca. Në çfarëdo fantazie të shkoni shija është e garantuar.