Kalimi i dosjes 184 në Dibër është shkelje flagrante e ligjit

Nga Arjan Balla
Kalimi i dosjes 184 në Dibër është shkelje flagrante e ligjit

Dërgimi i dosjes hetimore 184 në prokurorinë e Dibrës është bërë në shkelje të ligjit.

Para rreth dy muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërpreu hetimin e njohur si Dosja 184 për bashkëpunimin kriminalo-politik për vjedhjen e votave të zgjedhjeve vendore të Dibrës në vitin 2016.

Pas tre vjet hetimesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda pohoi para pak javësh se ajo nuk gjeti elementë të grupit të organizuar kriminal dhe si rezultat shpalli mungesë kompetencës për vazhdimin e hetimeve. Me vendim të prokurores së ngarkuar me detyrat e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku hetimet i kaluan Prokurorisë së Dibrës.

Por ky vendim u bë pa marrë miratimin e gjykatës, çfarë përbën shkelje të ligjit.

Në fakt, Prokuroria e Dibrës e refuzoi pranimin e dosjes hetimore, me argumentin se nuk është kompetente dhe se çështja duhet të marrë miratimin e gjykatës për pushimin e saj.

Sipas Kodit të Procedurave Penale në rast të konfliktit të kompetencave midis dy prokurorive është Prokurori i Përgjithshëm ai që zgjidh konfliktin.

E ngarkuara me detyrat e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku vendosi që kjo dosje duhet të kalojë në prokurorinë e Dibrës pavarësisht se nuk ka marrë miratim të gjykatës, me arsyetimin se:

“Nga shqyrtimi i akteve nuk rezulton që prokurori të ketë ngritur akuza për ndonjë prej personave nën hetim dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme t’i drejtohej gjykatës me kërkesë për pushimin e tyre.”

Me fjalë të tjera zonja Marku ka argumentuar se duke qënë se nuk kemi akuza për personat nën hetim, nuk është e nevojshme që të merret miratimi i gjykatës për pushimin e çështjes.

Por Kodi përcakton të kundërtën e asaj çfarë zonja Marku ka shkruar në vendimin e saj. Konkretisht neni 329/a përcakton:

“Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime dhe kur është njëri nga rastet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose çështjes.”

Kështu, Kodi nuk e lidh dërgimin e kërkesës në gjykatë për pushimin e çështjes me ngritjen apo jo të akuzave, por me përfundimin e hetimeve nga ana e prokurorisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për grup të strukturuar kriminal që është në kompetencë të kësaj prokurorie. Mbas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes ka vendosur se nuk krimi nuk është kryer në kuadër të një grupi kriminal, por në bashkëpunim të thjeshtë.

Kodi i Procedurës Penale parashikon se në rast se vepra për të cilën hetohet nuk ka ndodhur duhet që të pushohet hetimi veprën, por i takon gjykatës të miratojë pushimin e saj.

Kjo gjë nuk ka ndodhur. Hetimi është pushuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda pa marrë miratimin e gjykatës.

Ky veprim përveçse bie ndesh me ligjin, bie ndesh edhe me praktikat e mëparshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për shembull, në një rast të mëparshëm, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda miratimin e vendimit të një prokurori për shpallje të moskompetencës dhe pushimit të çështjes.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>