Kancelari austriak Sebastian Kurz kundërshton strehimin në vendin e tij të më shumë njerëzve që ikin nga Afganistani tani që talebanët kanë marrë pushtetin, raporton Reuters.
Austria mori më shumë se një përqind të popullsisë së saj në azilkërkues gjatë krizës migratore të Evropës në 2015 dhe 2016, dhe Kurz e ka ndërtuar karrierën e tij duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit, duke fituar çdo zgjedhje parlamentare që nga viti 2017.
Ndërsa Bashkimi Evropian po mendon për atë që duhet bërë me afganët që e ndihmuan atë gjatë 20 viteve të fundit, Kurz tha se ardhja e më shumë afganëve në Austri nuk ishte një mundësi.
“Unë jam qartësisht kundër që ne tani të pranojmë vullnetarisht më shumë njerëz dhe kjo nuk do të ndodhë gjatë kancelarisë sime,” tha Kurz në një intervistë me kanalin televiziv Puls 24. Pjesë nga intervista u publikuan para se të transmetohej më vonë të dielën.
Austria ka më shumë se 40 000 refugjatë afganë, numri i dytë më i madh në Evropë pas Gjermanisë, e cila ka 148 000, sipas të dhënave të agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR, për vitin 2020. Popullsia e Austrisë është nëntë herë më e vogël se ajo e Gjermanisë.
Austria është gjithashtu një vend neutral dhe jo anëtar i NATO-s. Ajo dërgoi vetëm një numër shumë të vogël trupash në Afganistan. Sipas të dhënave në faqen e NATO-s në internet, Austria ka dërguar 16 trupa për Misionin e Mbështetjes Vendosëse, një përpjekje për të trajnuar dhe këshilluar forcat afgane të sigurisë.
“Unë nuk jam i mendimit se ne duhet të marrim më shumë njerëz, përkundrazi” tha Kurz.
“Austria ka dhënë një kontribut të madh në mënyrë disproporcionale,” shtoi ai, duke iu referuar numrit të madh të refugjatëve afganë dhe azilkërkuesve tashmë në vend.
Ai tha se njerëzit që largohen nga Afganistani duhet të qëndrojnë në vendet e rajonit, duke shtuar se Turkmenistani fqinj dhe Uzbekistani kishin marrë vetëm 14 dhe 13 refugjatë afganë respektivisht, shifra të cilat përputhen me të dhënat e UNHCR -së.