Kapet në Spanjë rrjeti kriminal që trafikonte emigrant shqiptar në Britani e SHBA

Kapet në Spanjë rrjeti kriminal që trafikonte emigrant shqiptar në Britani e SHBA

Agjensia e policisë evropiane, Europol, njoftoi të hënën gjurmimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të emigrantëve, kryesisht shqiptar, drejt Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

18 persona u arrestuan në Spanjë, pas një operacioni të udhëhequr nga policia spanjolle, me bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare dhe autoritetet e zbatimit të ligjit e emigracionit në Austri, Francë, Itali, Slloveni, Kosovë , Portugali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të mbështetura nga Europoli.

Bëhet fjalë për një operacion të madh, gjatë të cilit fillimisht u identifikuan trafikantët që prisnin emigrantët në aeroportet e Britanisë dhe Irlandës. Më pas, me ndihmën e agjensisë amerikane të Homeland Security, u bë e mundur të mbërrihej tek qeliza e grupit në Spanjë.

“Nga atje, i dyshuari dhe bashkëpunëtorët e tij lehtësuan hyrjen e paligjshme të migrantëve përmes aeroporteve të ndryshme në Spanjë dhe Portugali në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u siguruan atyre karta identiteti franceze të falsifikuara,” shkruhet në njoftimin zyrtar të Europol-it.

Në fazën e mëhershme të hetimit një tjetër grup trafikantësh u kap në ishullin Saint Maarten të Karaibeve, të cilët kontrabandonin emigrantë shqiptarë me dokumente të falsifikuara drejt Shteteve të Bashkuara.

Korrierët, që shpërndanin në Kosovë dhe Shqipëri dokumentet e falsifikuara u arrestuan në dhjetor 2020, ndërkohë që në mars 2021 u gjetën në Kosovë edhe 4 baza, ku fabrikoheshin dokumente të falsifikuara.

Hetimet për rastin vazhdojnë pasi janë gjetur lidhje me 3 çështje kriminale të hapura në SHBA, ndërkohë deri tani janë ndalur rreth 400 emigrant të paligjshëm, janë sekuestruar rreth një mijë dokumente të falsifikuara dhe janë arrestuar gjithsej 46 persona.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>