Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi mbrëmë pas mesnate 18 punonjës të doganave të Qafë Thanës, Tiranës dhe të Portit të Durrësit. Ndër to shefi i policisë në Portin e Durrësit Julian Doraci, si dhe 17 doganierë punonjës në tre doganat e vendit.
Ata akuzohen për bashkëpunim në trafikimin e 10 tonëve drogë nga Shqipëria në Itali, në dy raste:
- Më 5 shkurt 2017, një kamioni me 8 ton drogë u kap në Itali, pasi kishte hyrë nga Maqedonia në doganën e Qafë-Thanës dhe pastaj nga Porti i Durrësit për në Itali.
- Më 24 mars 2017 — një kamion me 2,2 ton drogë u kap në Itali mbasi kishte kaluar nga Porti i Durrësit.
Numri i madh i të akuzuarve dhe funksionet që ata kryenin në strukturat doganore dhe policore kufitare ngrenë pikëpyetje serioze mbi kontrollin e kufijve dhe kapjen e strukturave ligjzbatuese nga krimi.
Mbi të gjitha arrestimet vertetojnë opinionin dhe akuzat publike se kultivimi dhe trafikimi masiv i drogës nuk mund të mundësohej pa bashkëpunimin e strukturave shtetërore. Ato shpjegojnë faktin se pse ngarkesa të mëdha droge, deri disa tonëshe, zbulohen dhe kapen nga doganat dhe policia italiane, ndërkohë që kanë kaluar lehtësisht nëpër territorin dhe pikat e kalimit kufitar të Shqipërise.
Arrestimet janë prova më e fortë deri tani që konfirmon akuzat e opozitës dhe të mediave se trafiku i drogës në Shqipëri ndodh me bashkëpunim dhe me mbrojtje të strukturave më të larta shtetërore, veçanërisht funksionarëve të lartë të policisë dhe Ministrisë së Brendëshme.
Dy rastet për të cilat të akuzuarit akuzohen mund të jenë vetëm një pjesë e vogël e trafikut të mundësuar nga të akuzuarit. Shtrirja në disa dogana dhe numri i madh i individëve nga institucione të ndryshme shtetërore bëjnë të mendosh se aktiviteti i tyre kriminal ka qenë i gjatë, pasi lidhjet mes tyre duken të konsoliduara.
Arrestimet tregojnë se nuk kemi të bëjmë me individë të shkëputur të lidhur me trafikun, por me struktura shtetërore të kthyera në hallka në trafikun ndërkombëtar të drogës. Institucionet për ruajtjen dhe kontrollin kufitar në dy pikat kryesore të kalimit të kufirit të vendit praktikisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal. Kjo dëshmon se krimi jo vetëm ka depërtuar në strukturat shtetërore por i ka kapur, ato duke i vënë në shërbim të tij.
Arrestimet janë goditje për Kryeministrin Rama sepse ato hedhin poshtë pretendimet e tij se ka bërë shtet dhe se ka shndërruar policinë shqiptare në institucionin më të besuar. Që drejtuesit kryesorë të strukturave të ruajtjes së kufijve, doganave dhe të policisë, bashkëpunojnë në mënyrë të organizuar me krimin, është fundi i shtetit.
Në veçanti, arrestimet mund të interpretohen si goditje për ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, shpesh herë i akuzuar nga opozita dhe nga media për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Së fundmi arrestimet dëshmojnë se lufta kundër drogës kërkon pastrimin e policisë dhe strukturave të tjera shtetërore nga elementët e inkriminuar. Por duke marrë parasysh funksionarët e lartë të dyshuar apo akuzuar për përfshirje me krimin, kjo detyrë duket e vështirë pa ndryshuar drejtuesit kryesore te Ministrisë së Brendëshme, policisë, doganave dhe institucioneve të tjera shtetërore.