Komisioni Europian do të publikojë metodologjinë e re të anëtarësimit në BE në fillim të shkurtit.
Megjithëse fillimisht ishte lajmëruar se metodologjia do të bëhej publike në fund të janarit, zëdhënësja për shtyp e KE-së lajmëroi shtyrjen e afatit:
“Komisioni është në proces të përfundimit të propozimit dhe ai do të paraqitet në javët e ardhshme.”
Me metodologjinë e re të procesit të negociimit me vendet kandidate, BE synon ta bëjë procesin më të besueshëm dhe matshëm nga të gjitha palët e përfshira: si për vendet kandidate që presin ndihma konkrete nga BE, ashtu dhe për BE-në që pret reforma dhe zhvillim konkret nga vendet kandidate.
Kjo metodologji do të ketë rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat në tetor nuk morën dot hapjen e negociatave me BE-në dhe presin të rivlerësohen sërish në pranverë, në Samitin e Zagrebit.