Bashkia e Durrësit ka vendosur t’i kërkojë qeverisë të financojë një kontratë 10 vjeçare me kompaninë “Integrated Energy” për djegien e mbetjeve.
Sipas relacionit të siguruar nga Report Tv, Këshilli Bashkiak i Durrësit kërkon subvencionimin e plotë të tarifës hyrëse nga qeveria për një afat 10 vjeçar duke argumentuar se buxheti i bashkisë nuk e përballon dot këtë shpenzim prej vështirësive që ka krijuar pandemia dhe tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Mbetjet e Bashkisë së Durrësit prej një viti depozitoheshin në Landfillin e Sharrës, në Tiranë ku digjeshin në inceneratorin që menaxhohet nga komapnia “Integrated Energy”.
Kjo erdhi pas mbylljes së vend depozitimit të Porto Romanos, me vendim të qeverisë, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Kompania “Integrated Energy” paguhet 29 euro për djegien e një ton mbetje. Durrësi përpunon rreth 150 ton mbeturina në ditë, që do të thotë se kosotoja e një viti për djegien e tyre shkon rreth 1.5 milionë euro.
Kontata e përkohëshme e Bashkisë Durrës me “Integrated Energy” përfundoi dy ditë më parë.
Tashmë, Bashkia Durrës kërkon që ta zgjasë kontratën me 10 vite dhe kërkon që ajo të financohet nga buxheti i shtetit.
Si erdhëm deri këtu?
Në Porto Romano qeveria vendosi të ndërtojë një park industrial ndërsa për mbetjet fillimisht nuk u mor asnjë vendim. Mospasja e asnjë vendi për grumbullimin e mbeturinave shkaktoi një gjendje emergjence në qytet për shkak të ndotjes.
Bashkia vendosi që mbetjet të grumbulloheshin në Manëz dhe të digjeshin atje. Kjo krijoi një tjetër situatë problematike pasi djegia bëhej pa kriter dhe banorët nisën të protestonin për ndotjen që shkaktohej.
Në korrik 2020, qeveria vendosi që mbetjet e Durrësit të depozitoheshin në Sharrë ndërkohë Bashkia do të vlerësonte nëse do të hapte një landfilld të ri në Durrës ose do të vijonte depozitimin në Sharrë.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Durrës u hodh poshtë mundësia e ndërtimit të një vendgrumbullimi të ri dhe u vendos zgjatja e kontratës me “Integrated Energy” megjithëse bashkia nuk i ka fondet për ta përballuar këtë.