Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca njoftoi sot se Këshilli Europian ka mbështetur vendimin e Komisionit Europian për t’i ofruar Shqipërisë ndihmë humanitare dhe për të organizuar konferencën e donatorëve për të përballuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.
Konferenca e donatorëve do të zhvillohet, me iniciativën e Francës, në janar 2020, pasi qeveria shqiptare të ketë bërë bilancin total të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Vendimin e Këshillit e përshëndeti dhe Kryeministri Rama, i cili u shpreh optimist për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, me mbështetjen e BE-së:
“Mbajtja e premtimit që mora nga shumë prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, më mbush me energji e me optimizëm për suksesin e përpjekjes që të dalim të gjithë më të fortë nga kjo tragjedi, duke nisur nga motrat e vëllezërit tanë fatkeq, të cilët duhet t’i rikthejmë në shtëpi më të mira se ato që humbën, si edhe nga fëmijët e tyre, të cilëve do t’u bëjmë shkolla më të mira nga ato që kishin.”
Për të koordinuar procesin e bërjes së bilancit të dëmeve e më pas, për të menaxhuar ndihmat, kryeministri Rama emëroi sot Arben Ahmetajn si ministër Shteti për Rindërtimin.