Këshilli Shqiptar i Medias: ligji për mediat, cënim i lirisë së shprehjes

Nga Alice Elizabeth Taylor
Këshilli Shqiptar i Medias: ligji për mediat, cënim i lirisë së shprehjes

Paketa ligjore “anti-shpifje” e propozuar nga qeveria nuk ka asnjë lidhje me shpifjet dhe është emëruar si e tillë vetëm për “efekt propagandistik”, sipas drejtorit ekzekutiv të Këshillit Shqiptar të Medias Koloreto Cukali.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Exit.al në lidhje me projektligjin që po shqyrtohet në Kuvend, Cukali u shpreh se “e meta kryesore e projektligjit është se po përpiqet të rregullojë etikën në media, në vend që të lejojë vetë-rregullimin që është standardi në vendet e BE-së”.

Një nga aspektet më shqetësuese të ligjit të propozuar është fakti se të gjitha vendimet, përfshi dënimet financiare deri në €830.000, pezullimet e licencës dhe madje mbylljen dhe bllokimin e platformave të mediave online, do të jenë në duart e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA ). Cukali shprehet se ajo është “një institucion i njëanshëm, bordi i të cilit zgjidhet nga partitë politike dhe i ashtuquajturi Këshilli i Etikës që nuk ka pavarësi dhe aftësi profesionale. ”

Ai gjithashtu ngre argumentin se AMA do të ketë fuqinë për të miratuar urdhra ekzekutiv siç janë gjobat dhe bllokimi i menjëhershëm i portaleve, duke anashkaluar çdo proces gjyqësor. Ndërsa platformat e mediave mund të paraqesin një ankesë në gjykatë, gjobat, bllokimet dhe dënimet e tjera do të qëndrojnë në fuqi derisa të merret një vendim gjyqësor.

AMA mund të përdoret si një mekanizëm për të sulmuar menjëherë median duke i dëmtuar ato financiarisht ose duke bllokuar punën e tyre, ndërsa zhvillohet një proces gjyqësor potencialisht i gjatë dhe i kushtueshëm.

Sipas Cukalit, “ka shumë shkelje të tjera” përfshirë diskriminimin ekonomik, regjistrimin tek AMA për “përfitime fiskale”, gjoba shumë të larta dhe cenimin e lirisë së shprehjes duke e kthyer etikën në një ligj të detyrueshëm.

Së fundi, ai deklaroi se “pasi të miratohet ligji, ata mund të vendosin gjithçka që duan në aktet nënligjore dhe rregullore që do ta shoqërojnë atë, duke e kthyer atë në një cenim të madh të lirisë së shprehjes në Shqipëri.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>