Këshilli Politik nisi sot punën për të dakordësuar brenda datës 15 mars reformën zgjedhore. Diskutimet u zhvilluan pa praninë e medias. Sipas dokumentit të publikuar në media, propozimet kryesore të opozitës janë:
Një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike;
Një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre;
Një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.
Opozita propozoi edhe parandalimin e përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje; zbatimin e ligjit të dekriminalizimit; hartimin e listave të zgjedhësve duke mbajtur parasysh dështimin e zbatimit të sistemit të adresave dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile; rinovimin e kartave të identitetit.
Gjithashtu, sot u vendos se Këshilli Politik do të përbëhet nga 10 anëtarë:
- 2 bashkëkryetarët e Komisionit për reformën zgjedhore: Damian Gjiknuri (PS) dhe Rudina Hajdari (e dalë nga listat e PD-së).
- 3 deputetët: Ervin Bushati (PS) Alban Zeneli (i dalë nga listat e PD-së) Nimet Musai (i dalë nga listat e LSI-së).
- 5 përfaqësuesit e opozitës: Oerd Bylykbashi (PD), Petrit Vasili (LSI), Mesila Doda (PDIU), Fatmir Mediu (PR) dhe Vangjel Dule (PBDNJ).
Pas mbledhjes së parë përfaqësuesi i PD-së, Bylykbashi u shpreh se “konsensusi duhet të qëndrojë deri në momentin e miratimit të reformës, siç është dakordësuar në fillim”.
Përfaqësuesi i PS-së dhe kryetari i komisionit për reformën zgjedhore Gjiknuri e quajti Këshillin Politik “një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet janë […] çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit.”
Ndërsa bashkëkryetarja e komisionit për reformën, Rudina Hajdari mbështeti propozimin për ndryshim sistemi, duke thënë se “edhe ndryshimi i sistemit është përmendur edhe nga palët e tjera. […] mendoj se hapja e listave do ishte shumë pozitive për zgjedhjet e ardhshme.”