Këshillit i Evropës raporton prapambetje të demokracisë në kontinent

Nga Exit News
Këshillit i Evropës raporton prapambetje të demokracisë në kontinent

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić foli për një “shkallë të qartë dhe shqetësuese të prapambetjes demokratike” në një deklaratë mbi raportin e saj të fundit vjetor për gjendjen e demokracisë në kontinent.

Raporti bazohet në gjetjet e organeve të Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mbi institucionet politike dhe pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shprehjes dhe shoqërimit, dinjitetit njerëzor, diskriminimit dhe pjesëmarrjes demokratike në Evropë.

“Në shumë raste, problemet që po shohim i paraprijnë pandemisë së koronavirusit, por nuk ka dyshim se veprimet legjitime, të ndërmarra nga autoritetet kombëtare në përgjigje të Covid-19, e kanë komplikuar situatën. Rreziku është që kultura jonë demokratike të mos rimëkëmbet plotësisht,” deklaroi Burić.

Në vijim, sjellim disa nga problematikat e identifikuara në raport:

Liria e shprehjes

– KE regjistroi 118 sulme ndaj integritetit fizik të gazetarëve në Evropë vitin e kaluar.

– Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti 263 shkelje të konventës së të drejtave të njeriut midis 2018 dhe 2020, prej të cilave 237 raste të lidhura lirinë e shprehjes.

– Ka pasur disa raste të bllokimit të faqeve të internetit në një numër vendesh.

Liria e tubimit

– Shumë shtete kanë vendosur kufizime joproporcionale në lirinë e tubimit, si pjesë e masave antiCovid.

Të drejtat e grave

– Covid-19 ka pasur një efekt regresiv në barazinë gjinore, duke rritur ekspozimin e tyre ndaj dhunës në familje si dhe kërcënimet në sferën digjitale.

– Kundërshtimi i fortë ndaj Konventës së Stambollit nga disa forca politike dhe pjesë të opinionit publik bazohet në supozime të rreme ose keqinterpretime të qëllimshme në lidhje me implikimet e saj të mundshme ligjore dhe shoqërore.

Diskriminimi

– Rritja e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes kundër hebrenjve, myslimanëve, romëve, njerëzve me ngjyrë dhe pakicave të tjera, veçanërisht në internet.

– Rritja e gjuhës së urrejtjes dhe sulmet ndaj migrantëve.

Korrupsioni dhe mirëqeverisja

– Pavarësia e gjyqësorit dhe autoriteti i tij si i drejtë dhe i paanshëm nuk njihet e respektohet në disa vende, gjë që nxit korrupsionin dhe abuzimin me qeverisjen.

 

Sekretarja e Përgjithshme shtoi se shtetet përballen me zgjedhjen për ta lehtësuar prapambetjen ose me angazhimin për e rinovuar demokracinë evropiane.

“Ato mund të vazhdojnë të lejojnë ose lehtësojnë këtë prapambetje demokratike ose mund të punojnë së bashku për ta përmbysur këtë trend, për të forcuar dhe rinovuar demokracinë evropiane dhe për të krijuar një mjedis në të cilin lulëzojnë të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Raporti inkurajon vendet anëtare të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës për të adresuar shumë nga sfidat e identifikuara.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>