Këshilltari ekonomik i Grupit Parlamentar CDU në Bundestagun gjerman, Martin Henze, komentoi në një intervistë për gazetën “Panorama” aktualitetin politik dhe perspektivën integruese të Shqipërisë. Sipas Henze, kriza politike në Shqipëri mund të gjejë zgjidhje nëse krijohen kushtet për garantimin e besimit të të gjitha partive. Ai theksoi se duhet miratuar një reformë zgjedhore, e cila duhet aprovuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Këshilltari i CDU-së theksoi gjithashtu se mbështet idenë e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për krijimin e një qeverie tranzitore për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Henze kritikoi politikat e jashtme të qeverisë shqiptare, duke theksuar se po krijohen teza nacionaliste për të shkëputur vëmendjen nga problemet e brendshme.
Si i shikoni zhvillimet e fundit në rajon dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor?
Në muajt e fundit, konfliktet politike në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri janë bërë më akute. Aktorët politikë po flasin përsëri për një lëvizje etno-nacionaliste në Shqipëri, duke tentuar të bëjnë presion ose “kërcënuar” Europën, që është totalisht e gabuar. Kryeministrin Edi Rama – i mbështetur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi – ka artikuluar disa herë tezën e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që është një non sens, pasi e ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë duhet dhe është Europa. Mund të them që janë dy arsye përgjegjëse për këto zhvillime shqetësuese: një, është faktori i brendshëm dhe, dy, i politikës së jashtme. Faktori i brendshëm në Shqipëri është se qeveria dëshiron të shkëpusë vëmendjen nga problemet e shumta dhe shqetësuese politike të vendit.
Sipas jush, cilat janë këto problematika shqetësuese?
Me lejoni të them diçka. Në Shqipëri, sipas të gjitha vlerësimeve të brendshme e të jashtme, në 5 vitet e fundit qeveria e kryesuar nga zoti Rama nuk ka arritur të sjellë një zhvillimin politik dhe ligjor në Shqipëri. Përkundrazi, korrupsioni në nivele të frikshme, kriminaliteti, varfëria, shkalla e lartë e papunësisë, eksodi masiv i të rinjve nga Shqipëria, borxhi i lartë publik, projekte të papranueshme dhe qartësisht korruptive të PPP-ve, bëjnë të qartë se në 5 vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa pas. Raporti i publikuar kohët e fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi korrupsionin dhe trafikimin e drogës është shumë i qartë dhe është jo vetëm një kambanë alarmi, por një realitet tashmë.
Në situatën aktuale ku është Shqipëria, a po funksionin sistemi demokratik?
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është sistemi ligjor, që është jofunksional, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë më shumë se një vit që nuk funksionojnë, pra, një kontroll i vendimeve të qeverisë dhe Parlamentit nuk mund të kryhet, opozita nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar veprimet e qeverisë e të Parlamentit, apo vendime antikushtetuese, nuk ekziston asnjë mënyrë për të apeluar ose kërkuar të drejtën kushtetuese dhe kjo është tragjike. Edhe në qoftë se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do të bëhet aktive përsëri, aktualisht janë rreth 40,000 raste të pazgjidhura të mbledhura në kohë. Ky grumbullim i rasteve është i mjaftueshëm për të neutralizuar në vitet e ardhshme veprimtarinë e gjyqësorit shqiptar. Ekzekutivi është i korruptuar, sipas opinionit ndërkombëtar dhe jo vetëm. Shkeljet e mundshme të Kushtetutës shqiptare nga qeveria shqiptare nuk mund të korrigjohen nga asnjë gjykatë, një situatë e papranueshme për një vend demokratike. Ndarja e pushteteve, një nga parimet bazë të demokracisë, është jofunksionale. Kjo nuk i përmbush standardet minimale për një sistem demokratik. Në këtë drejtim, mund të thuhet me bindje se Shqipëria nuk ka një demokraci parlamentare funksionale.
A ndikon kjo në procesin integrues të Shqipërisë dhe në zhvillimin ekonomik?
Për fat të keq, mund të thuhet se mungon mbizotërimi i ligjit. Si mund të zhvillohen aktualisht zgjedhje demokratike në një sistem parlamentar jofunksional. Prandaj, në këto kushte, nuk kanë se si të hapen negociatat e pranimit me BE. Për shkak të kësaj situate, dhe investitorët e huaj hezitojnë dhe nuk pranojnë të vijnë në Shqipëri, kjo është e kuptueshme, e kjo çon në një përfshirje më të madhe të investitorëve nga vendet jodemokratike, të tilla si Kina, Turqia dhe Rusia, të cilat, në fund të fundit, vetëm sa e shkëpusin dhe e largojnë më shumë Shqipërinë nga Europa.
Ju përmendët vende si Kina dhe Rusia. Çfarë pasojash mund të ketë rritja e ndikimit të tyre në Shqipëri?
Vende si Rusia dhe Kina po përpiqen të shtojnë ndikimin e tyre në Ballkan. Për rusët, Ballkani është interesant për të arritur të destabilizojnë kufirin e BE-së. Ata përpiqen, si në Ukrainë apo Gjeorgji, që të zgjerojnë sferën e tyre të influencës edhe më shumë. Dhe këtu, sigurisht, Serbia ka një rol kyç. Për kinezët, Ballkani është interesant për arsye ekonomike. Ata duan të çojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një “kurth borxhi”, nga i cili nuk arrihet të dilet nëse bie brenda. Kina dëshiron të krijojë ndikim politik në Europë. Marrëveshjet që qeveria socialiste e Ramës ka kryer me Republikën Popullore Komuniste, si në PPP, burimet natyrore, rrugë, aeroport, IT rrjet, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës strategjike, janë për BE-në dhe SHBA-të diçka shumë delikate dhe problematike, të cilat padyshim kanë dhe koston e tyre në raport me BE-në dhe SHBA-të.
Çfarë mendimi keni për samitin e Berlinit dhe qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë?
Perspektiva e vetme e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë vetëm anëtarësimi në BE. Berlini dhe Franca kanë thënë në mënyrë të qartë në konferencën e Ballkanit që një jorespektim i kufijve kombëtarë në Ballkan është i papranueshëm. Kryeministri shqiptar ishte mjaft i pasuksesshëm në këtë drejtim. Për Shqipërinë, tani është shumë e rëndësishme zgjidhja e problemeve të brendshme. Kjo sigurisht që mund të arrihet vetëm me konsensus midis të gjitha partive demokratike dhe grupeve shoqërore. Në një demokraci, mjeti për të zgjidhur problemet, pa dyshim, janë pasja e koncepteve të mira praktike dhe zgjedhjet demokratike dhe duke pasur parasysh gjendjen ekonomike, në të cilën ndodhet Shqipëria, duhet reaguar shume shpejt.
Sipas jush, cilat janë pikat ku duhet punuar më shumë për të tejkaluar këtë situatë që, siç e thatë ju, ka pasoja edhe në ekonominë e vendit?
Qëllimi është që Shqipëria të ketë qëndrueshmëri dhe për të hedhur themelet për një qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje. Për të ardhmen e Shqipërisë, gjëja më e rëndësishme janë vendet e punës, vendet e punës dhe përsëri vendet e punës. Duke pasur qëndrueshmëri, bëhet e mundur që ekonomia e Shqipërisë të bëhet konkurruese dhe atraktive për BE-në dhe në këtë mënyrë shkurtohet ndjeshëm dhe rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por akoma më e rëndësishme është se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë vetë në dorë fatet e tyre. Por kjo mund të arrihet vetëm duke shkulur dhe luftuar problemet e shumta që mbizotërojnë në Shqipëri, si papunësia, mungesa e sistemit ligjor, institucione të dobëta dhe te korruptuara, trafikut të drogës, varfërinë, ikjen masive të të rinjve, krimin e organizuar. Në këtë situatë, opozita dhe një pjesë e madhe e qytetarëve, me të drejtë, kërkojnë një ndryshim rrënjësor. Dhe duhet thënë se zgjedhjet janë gjithmonë një sistem demokratik për të zgjidhur situata të vështira.
A mund të mbahen zgjedhje në Shqipëri në kushtet aktuale? Po kërkesa e opozitës për të krijuar një qeveri tranzitore?
Në një situatë që sistemi ligjor është jofunksional, dhe, si pasojë, dhe Parlamenti nuk mund të jetë funksionale, duhet me patjetër që të krijohen kushtet themelore për zgjedhje demokratike, të ketë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike. Duhet një reformë e gjithëpranuar zgjedhore dhe të krijohen kushtet që këto ligje mund të verifikohen nga Gjykata Kushtetuese. Kjo i jep garanci të mjaftueshme qeverisë dhe opozitës. Por për të arritur këtë duhet një konsensus dhe një gjithëpërfshirje. Një format i mundshëm, me siguri, do të ishte një qeveri tranzitore. Propozimi i zotit Lulzim Basha, i cili, për më tepër, në Europë ka një reputacion të lartë, është goxha interesant dhe problemzgjidhës. Askush në Shqipëri nuk dëshiron të shohë të bëhen zgjedhje pa një sistem ligjor funksional dhe pa respektuar rregullat demokratike dhe pa marrëveshje gjithëpërfshirëse me opozitën.
Ju më parë folët edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. A ka potencial për të pasur një zhvillim të prekshëm nga qytetarët?
Shqipëria ka shumë përparësi, veçanërisht vendndodhja e saj strategjike, po ashtu dhe forca punëtore, dëshira për të punuar, që në Shqipëri mund të preket kudo. Unë me të vërtetë besoj se Shqipëria do të jetë në gjendje të përfitojë nga revolucioni i katërt industrial në të njëjtën mënyrë siç bënë dhe vendet baltike në vitet ‘90. Ekonomitë më të vogla shpesh kanë avantazhin e të qenurit në gjendje të bëjnë ndryshime të mëdha me më shumë gatishmëri dhe fleksibilitet sesa shtetet më të mëdha. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim thelbësor politik dhe ekonomik në vitin 2019, përndryshe çdo gjë do të jetë shumë e vështirë. Qeveria e tanishme ka treguar se nuk është në gjendje që të çojë Shqipërinë ekonomikisht dhe politikisht përpara. Në Bruksel ekziston vullneti i qartë për të 6 vendet e Ballkanit për t’i integruar në BE. Reformat e përmendura duhet të ndiqen nga shqiptarët, janë thelbësore – pa marrë parasysh nëse një fermer shqiptar në veri, ose një peshkatar nga Shqipëria e Jugut, ose profesor universiteti nga Tirana, shqiptarët, dhe jo të BE-së, duhet të vendosin se çfarë duan, një të ardhme me perspektiva, apo një të ardhme si në vitet e fundit. Shumica e familjeve shqiptare nuk duan të ndahen nga fëmijët, nuk duan të humbasin fëmijët e tyre jashtë vendit, shqiptarët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, në atdheun e tyre. Por për këtë kanë nevojë për perspektiva ekonomike dhe mundësi reale në Shqipëri dhe këto mund të jepen vetëm me politika të mirëmenduara ekonomike. Pra, në radhë të parë, zgjidhja dhe dëshira për t’u anëtarësuar në BE duhet të vijë nga vetë shqiptarët. Më lejoni të them dhe diçka në fund, në ditët e sotme, gjëja më e rëndësishme është të mësojmë dhe të kuptojmë popujt e tjerë. Dhe jo vetëm muzikën e tyre, por edhe filozofinë e tyre, qëndrimin e tyre, sjelljen e tyre. Vetëm atëherë, kombet mund të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të përfitojnë nga njëri-tjetri, ekonomikisht dhe madje, edhe kur bëhet fjalë për paqen.