Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përshëndetur zgjedhjen e anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese dhe bërjen e saj funksionale, pas rreth 3 vitesh bllokim.
Në një postim në Twitter, Kim shkroi:
“Lajm i rëndësishëm: Presidenti Meta ka dekretuar Përparim Kalon si gjyqtar të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të bëjë betimin nesër, do të ketë kuorum. Shqipëria do ta përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale- pas gati 3 vitesh.”
Kim theksoi se institucionet kryesore kanë luajtur rol të rëndësishëm për bërjen e gjykatës funksionale:
“Presidenti, KED dhe Parlamenti kanë një meritë të madhe! Ky ishte një veprim urgjent nga udhëheqësit, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.”
Ajo theksoi se me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria përmbush një nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE:
“Me një Gjykata Kushtetuese funksionale, Shqipëria tani plotëson 1 nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap gjigant përpara. Urime popullit të Shqipërisë! Le të vazhdojmë të ecim përpara.”