Ambasadorja amerikane Yuri Kim, takoi të martën, kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.
Përmes një postimi në Twitter, Kim sqaroi se për çfarë bisedoi me Tushën:
“U takova me gjyqtaren Tusha për ta falënderuar atë për udhëheqjen e qëndrueshme dhe të mençur të KED, e cila bëri të mundur që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale.
Tani, ajo ka përgjegjësinë të drejtojë GJK-në në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme. SHBA do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë në mënyrë që Reforma në Drejtësi të japë rezultate.”
Çështja e parë do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më 26 janar.
Ndërkohë shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur, pak ditë më parë, që të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të gjykatës.
Anëtarët po ashtu kanë vendosur që kryetarja ende në detyrë, Vitore Tusha të mbajë këtë pozicion deri në në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit të ri.
Aktualisht GJK përbëhet nga shtatë anëtarë: tre prej tyre janë zgjedhur nga Presidenti (Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja) dhe tre nga Kuvendi (Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Altin Binaj); ndërsa kryetarja në detyrë është Vitore Tusha, e vetmja anëtarë e mbetur nga Gjykata e kaluar Kushtetuese.
Mbeten ende për tu zgjedhur dhe tre anëtarë të tjerë nga Gjykata e Lartë, një prej të cilëve do të zëvendësojë Tushën, mandati i së cilës ka mbaruar.