Kina ka refuzuar kërkesën e Organizatë Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një hetim të ri rreth origjinës së koronavirusit duke thënë se mbështet përpjekjet “shkencore” në vend të atyre “politike” për të kuptuar si është përhapur virusi.
Hetimi i ri i OBSH-së do të përqendrohej në laboratorin e virologjisë në Wuhan prej nga ku është pretenduar se mund të ketë dalë virusi. Megjithatë kjo teori u hodh poshtë në raportin e parë të misionit të OBSH-së në Kinë.
Një ekip me ekpertë ndërkombëtarë i OBSH-së bashkë me homologët e tyre kinezë në janar të këtij viti hartuan një raport ku nuk u arrit ndonjë përfundim sesi është përhapur fillimisht virusi.
OBSH i kërkoi të enjten Kinës të dhënat fillestare rreth COVID-19 për të analizuar origjinën e tij.
Kina ka përsëritur qëndimin e saj se hetimi fillestar ka qenë i mjaftueshëm dhe thirrjet për më shumë të dhëna janë të motivuara nga politika dhe jo shkenca.
“Ne kundërshtojmë gjurmimet mbi baza politike dhe braktisjen e raportit të përbashkët të lëshuar pas vizitës së ekspertëve të OBSH-së në Wuhan”, ka thënë zëvëndësministri i Jashtëm kinez, Ma Zhaoxu.
Raporti ka vlerësuar si hipotezën më të mundshme të origjinës së COVID-19 kalimin e koronavirusit nga lakuriqi i natës tek një kafshë ndërmjetëse e më pas tek njeriu ndërsa teoria e daljes së virusit nga laboratori në Wuhan, vlerësohet “shumë pak e mundshme”.
Megjithatë presioni ndaj Pekinit mbi transparencën e treguar për origjinën e COVID-19 është rritur.
Kërkesa e OBSH-së vjen pasi shkencëtari danez Peter Ben Embarek, i cili udhëhoqi misionin ndërkombëtar në Wuhan, tha se pacienti zero me COVID-19 mund të jetë një punonjës i laboratorit i infektuar gjatë marrjes së mostrave në terren.
Ai i tha kanalit publik danez TV2 se lakuriqët e dyshuar nuk ishin nga rajoni i Wuhan dhe të vetmit persona që ka të ngjarë t’i kenë afruar ishin punëtorët nga laboratorët e Wuhan.
Ai gjithashtu tha se ishte i shqetësuar se dega Wuhan e Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po trajtonte koronaviruset “pa pasur potencialisht të njëjtin nivel ekspertize ose sigurie”.