Kjo është arroganca e burokratëve të Brukselit që refuzuan britanikët

Kjo është arroganca e burokratëve të Brukselit që refuzuan britanikët

Presidenti i Komisionit Europian foli, sot, para eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Në një moment të fjalës së tij, ai u pohoi se “duhet të respektojmë demokracinë britanike dhe zgjedhje që ajo shprehu”, deklaratë e cila u shoqërua me duartrokitje të zbehta nga disa europarlamentarë britanikë pro Brexit.

Por një prej tyre—Nigel Farage, kryetari i Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP)—e zgjati i vetëm duartrokitjen e tij në mënyrë ironike. Kësaj ironie Presidenti Juncker iu përgjigj me fjalët:

“Kjo është hera e fundit që ti po duartroket këtu [në Parlamentin Europian]. Dhe në një farë mënyrë unë jam me të vërtetë i habitur që ti je me të vërtetë këtu. Ti u përpoqe për daljen, populli britanik votoi për daljen. Ti pse je këtu atëhere?”

Ndërsa është e kuptueshme pse reagimi i Presidentit Juncker ishte nervoz, fakti është se qëndrimi i tij ishte gjithashtu arrogant. Ky qëndrim pason një sërë qendrimesh të tjera arrogante që Presidenti Juncker ka mbajtur mbas votës britanike, përfshi thirrjen e tij ndaj qeverisë britanike të kërkojë menjëherë daljen nga BE.

Presidenti Juncker është i emëruar në funksionin e tij dhe nuk i jep llogari kujt, ndërsa anëtarët e parlamentit europian, si Farage, janë të votuar nga qytetarët e vendeve të tyre dhe u japin atyre llogari. Megjithatë, europarlamentarët kanë shumë më pak peshë në vendim-marrjen e BE-së se burokratët e lartë si Zoti Juncker.

Arroganca me të cilën Presidenti Juncker iu drejtua sot një europarlamentari të votuar nga populli, qoftë ai edhe një provokator si Zoti Farage, është dëshmi e njërit prej problemeve kryesore të BE-së: mungesën e demokracisë dhe llogaridhënies nga funksionarët e lartë e të pushtetshëm të BE-së, të cilët nuk votohen nga qytetarët europianë por emërohen në mënyrë jo demokratike.

Kjo ishte një nga shkaqet e refuzimit që votuesit britanikë i bënë BE-së: burokratët e pavotuar dhe që nuk japin llogari nuk duhet të vendosin për fatet e qytetarëve, të cilët nuk kanë asnjë ndikim apo kontroll mbi ta.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>