Qeveria zgjat koncesionin monopol të kolaudimit të makinave

Nga Gerard Gega
Qeveria zgjat koncesionin monopol të kolaudimit të makinave

Kontrolli teknik i makinave do të vazhdojë të jetë monopol i një kompanie, të paktën deri në dhjetor të vitit 2020.

Qeveria ka vendosur të zgjasë koncesionin e kolaudimeve me kompaninë SGS duke i vendosur disa kushte, të cilat nuk janë bërë ende zyrtare.

Lajmi u raportua nga mediat. Kontrolli teknik i makinave, që është i detyrueshëm për të paktën një herë në vit për të gjitha automjetet, u dha për 10 vite me koncesion në vitin 2009, ndërsa tani shtyhet edhe për 1 vit e 4 muaj me një mënyrë aspak transparente.

Afati i kontratës koncesionare të lidhur me SGS pritej të mbaronte më 3 shtator. Në kontratë qe parashikuar edhe se si do kalohej shërbimi pas përfundimit të saj.

Procedura e transferimit duhej të kishte nisur 6 muaj përpara përfundimit të kontratës, por kjo gjë nuk ndodhi.

Prej më shumë se 4 vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës i kanë rekomanduar qeverisë që ta hapte tregun e këtij shërbimi për më shumë kompani.

Në një auditim të vitit 2015, KLSH shprehej se:

Liberalizimi me synimin rritjen e cilësisë së shërbimit sipas eksperiencës të shumë vendeve evropiane si dhe të vendeve të rajonit duhet të ishte në qendër të vëmendjes së hartimit të kontratës koncesionare dhe në përputhje me rregullat e tregut të lirë për këtë lloj shërbimi.

Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2018 e gjobiti kompaninë SGS me 51 milionë lekë dhe në raport rekomandoi:

Liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse e ofron pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian. Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me certifikatën e kontrollit teknik.

Me liberalizimi KLSH dhe AK nënkuptojnë licensim të kompanive të tjera.

Sipas kontratës kncesionare kompania duhej të investonte këto vite mbi 4 milionë euro për hapjen e dhjetëra qëndrave të shërbimit, të cilat në përfundim të kontratës do t’i kalonin shtetit shqiptar.

Në auditimin e vitit 2015 KLSH vinte në dukje faktin se kompania i përballoi investimet duke rritur çmimin e shërbimit:

Investimet e reja të bëra për godinat ekzistuese, ndërtimin e godinës së re dhe investimet në pajisje janë përballuar nga rritja e tarifës së këtij shërbimi e cila varion nga 10-100 % ose mesatarisht 44 % .

Gjithashtu KLSH konstatoi në vitin 2015 se “Ministria e Transportit nuk kishte një plan veprimi për të ardhmen”.

Megjithëse qeveria e dinte se kontrata ishte drejt fundit nuk nisi procedurat për ta rimarrë shërbimin apo për ta liberalizuar tregun, por përkundrazi vendosi të zgjasë kontratën.

Më herët qeveria dhe koncesionari nuk i qenë përgjigjur nteresimeve të mediave rreth kësaj çështjeje.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative tregoi pak ditë më parë se në 9 vite kompania SGS kishte regjistruar 10 milionë euro (1,3 miliardë lekë) fitime.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>