Më anë të një fushate të mirëkoordinuar ndërkombëtarët lëvduan vendimin e Kuvendit për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit mbi reformën zgjedhore, në formën e një sërë ndryshimesh ndaj Kodit Zgjedhor.
Të gjithë deklaruan se kjo reformë e ka sjellë Shqipërinë “më afër” me Bashkimin Evropian, pavarësisht faktit se ajo u negociua tërësisht jashtë Kuvendit nga një grup ad-hoc politikanësh (Këshilli Politik) pa asnjë mandat demokratik apo kushtetues për një gjë të tillë.
Edhe një herë tjetër, shteti i së drejtës duhet të bëjë një hap prapa për t’ja lënë vendit vetëlëvdimit të arritjeve të jashtëzakonshme diplomatike.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim shkroi në Tweeter se marrëveshja “e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian”.
Bashkimi Evropian shkoi edhe më tej. Sipas Ambasadorit Soreca:
“Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e pranimit të Bashkimit Evropian, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25.3.2020 . Dispozitat e reja legjislative do t’i japin Shqipërisë një kornizë zgjedhore me integritet dhe standarde më të larta transparence, bazuar në rekomandimet e OSBE/ ODHIR-it”.
Të njejtit mesazh i bëri jehonë eurokomisioneri Oliver Varhelyi, i cili shkroi:
“Unë mirëpres miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo përmbush një kusht kryesor të BE”.
Këto deklarata janë të pavërteta, të bëra vetëm për t’i dhënë Komisionit Evropian dhe qeverisë Rama një justifikim për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke injoruar në mënyrë të volitshme 14 kushtet e tjera.
Këshilli Evropian do të bënte mirë të kuptonte se ndryshimet ligjore të miratuara nuk përmbushin në asnjë lloj mënyre kushtet e vendosura nga përfundimet e Këshillit të BE-së.
Këto përfundime u shprehën qartë se:
“Shqipëria duhet të miratojë një reformë zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke siguruar transparencën e financimit të partive politike dhe të fushatave elektorale.”
Ndryshimet e miratuara trajtojnë vetëm disa prej shqetësimeve të ngritura nga OSBE/ODIHR gjatë 4 palë zgjedhjeve të fundit, por ato:
Nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për praktikat e kudo ndodhura të blerjes së votës apo një hetim i pavarur i vjedhjes së zgjedhjeve në 2017 dhe 2019;
— Nuk departizojnë organet e administrimit zgjedhor;
— Nuk japin asnjë zgjidhje për kufizimet e moshës në listat e votimit, asnjë dhënie të të drejtës së votimit për personat me probleme mendore;
— Nuk rrisin transparencën duke u siguruar vëzhguesve të pavarur me protokollet e rezultateve;
— Nuk u shfuqizua ligji për shpifjen;
— Nuk u sigurua asnjë përfaqësim i balancuar gjinor në organet zgjedhore.
Sa herë që ndërkombëtaret festojnë para kohe plotësimin e një tjetër “kushti kyç”, ajo që bëjnë në fakt është t’i japin material falas propagande qeverisë Rama, në vend që të kontrollojnë me të vërtetë zbatimin e kushteve të Këshillit Evropian dhe të mbrojnë shtetin e së drejtës.
Do të doja të mos më duhej të përsërisja veten, por mungesa e kurajës nga Soreca, Kim, Várhelyi dhe nga disa të tjerë ishte përsëri e dhimbshme për t’u parë.
Në një mënyrë a në një tjetër ata po dështojnë të kuptojnë se miratimi i ligjeve është gjithmonë pjesa e lehtë e lojës, zbatimi i ligjit, sikurse vetëm OSBE-ja është treguar e kujdesshme për të përmendur, është thelbësore.
Tani fillojnë zgjedhjet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve “jo-politik”, që do të çojnë pa dyshim në akuza mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj opozitës jashtë-parlamentare.
Dhe një KQZ e tillë e dëmtuar rëndë dhe e diskredituar nga procesi i përzgjedhjes, do duhet të zbatojë një sërë procedurash të reja, përfshi identifikimin 100 për qind dixhital të votuesve në të gjithë Shqipërinë. Zgjedhjet do të jenë më pak se një vit nga tani — tashmë është tepër vonë.