Komisioneri Publik Florian Ballhysa ka kërkuar rihapjen e plotë të hetimit administrative për gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës Irena Brahimi.
Sipas KP-së, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka vlerësuar siç duhet deklarimin e pasurisë së gjyqtares, veçanërisht atë të vitit 2007-2008. Në këto vite, gjyqtarja ka blerë një apartament.
“Komisioneri Publik, nga verifikimi i akteve, vlerëson se hetimi i Komisionit mbi burimet e ligjshme, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive të paluajtshme […] nuk paraqitet i plotë,” shkruan komisioneri.
Komisioneri e konsideron gjithashtu jo të plotë hetimin që ka kryer KPK mbi shkollimin e fëmijëve në shkolla private në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe.
Gjyqtarja Brahimi u konfirmua në detyrë në 21 korrik 2020.
Vendimi u mor nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj. Gjyqtarja Brahimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si gjyqtare e Gjykatës së Gjirokastrës.
Prej vitit 2004, ajo punon në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës.