Suela Zhegu është, me shumë mundësi, Komisionerja më problematike e Komisionit të Vetingut. Ajo është kapur sërish “mat” me shkeljen e ligjit, në një situatë flagrante konflikti interesi.
Komisionerja Zhegu është pjesë e treshes që po kryen verifikimin e subjektit Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi në fillim të javës se, në datën 5 qershor do të zhvillohet seanca dëgjimore për subjektin Edmond Islamaj dhe trupa gjykuese përbëhet nga Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa.
Njoftimi është korrekt dhe telegrafik. Por, në trupën gjykuese konstatohet një problematikë shumë e madhe ligjore. Komisionerja Suela Zhegu është në konflikt të hapur interesi me subjektin e rivlerësimit, Islamaj.
Anëtari i Gjykatës së Lartë ka qenë për disa kohë relator i çështjes në ngarkim të bashkëshortit të saj, Idi Zhegu, i akuzuar nga Prokuroria e Durrësit për ekspertim të rremë. “Boldnews.al”, i cili ka ndjekur edhe më parë problematikat e komisioneres Zhegu, ka konstatuar në Shkurt 2017 se Edmond Islamaj ishte relatori i çështjes në ngarkim të Idi Zhegut, një çështje që është regjistruar në Gjykatën e Lartë që në Shtator 2017.
Duke pasur në konsideratë se procesi i Vetingut për Edmond Islamaj ka filluar që në Tetor 2017, si pjesë e listës prioritare, atëherë rezulton se komisionerja Suela Zhegu, më së paku e ka pasur nën verifikim Edmond Islamajn për 5 muaj. Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, Edmond Islamaj kishte në shqyrtim çështjen penale ndaj bashkëshortit të komisioneres.
Konflikti i interesit, në këtë rast është tërësisht flagrant, por, po aq flagrante është edhe sjella e komisioneres Suela Zhegu. Pavarësisht se ajo ka qenë në dijeni të plotë se bashkëshorti i saj po gjykohej nga subjekti i rivlerësimit, Edmond Islamaj, nuk ka kryer asnjë veprim procedurial dhe administrativ për t’u larguar nga treshja që do të verifikojë gjyqtarin.
Përkundrazi, nga ajo çfarë konstatohet tashmë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, ka dhënë dorëheqjen nga trupa gjykuese Edmond Islamaj dhe ai është ndryshuar nga Tom Ndreca. Pra, për shkak të konfliktit të interesit, është gjetur rruga më e “butë”. Palët kanë vendosur që është më mirë të largohet gjyqtari nga gjykimi, sesa komisionerja nga procesi i verifikimit.
Në fjalë më të thjeshta, Komisioni i Vetingut ka marrë rolin më të rëndësishëm se sa Gjykata e Lartë në Shqipëri. Të paktën, kjo vërehet në rastin e komisioneres Suela Zhegu. Është shumë e rëndësishme për t’u parë në vijim se si do të jetë vendimmarrja e Komisionit të Vetingut në rastin e gjyqtarit Edmond Islamaj, pasi ky i fundit “u bind” për të shmangur konfliktin e interesave, ndërkohë që diçka të tillë duhet ta kryente komisionerja Zhegu që në momentin e parë që është përzgjedhur në treshen që do të verifikonte këtë gjyqtar.
Në fakt, siç ka raportuar edhe më herët “Boldnews.al”, komisionerja Zhegu nuk e ka për herë të parë që kryen veprime anti-ligjore, gati të papërgjegjshme.
Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi, ankimoi praninë e komisioneres Zhegu në treshen që po kryente procesin e Vetingut ndaj saj, pikërisht për një situatë konflikti interesi. Edhe në atë rast, njëlloj si me gjyqtarin Edmond Islamaj, shkaku për konflikt interesi ishte bashkëshorti i komisioneres, Idi Zhegu.
Ky i fundit, me profesion ekspert, është kallëzuar penalisht për “ekspertim të rremë” nga një familjar i afërt i prokurores Gashi. Kjo çështje është ndjekur nga Prokuroria e Durrësit, e cila e ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dënimin e tij. Ky rast vijon të jetë ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë, çështje, e cila deri para 3 javësh, kishte si relator Edmond Islamaj.
Pas ankimit të prokurores Rovena Gashi, komisionerja dha dorëheqjen nga treshja gjykuese, por ndaj saj nuk u aplikua asnjë masë disiplinore, sipas përcaktimeve ligjore.
E mësuar tashmë me shkeljet e ligjit të konfliktit të interesit, Zhegu nuk e ka pasur aspak problem që, për disa muaj, të ushtrojë procedurën e verifikimit për subjektin Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë, pavarësisht se ky i fundit është një prej njerëzve që ka pasur në dorë fatin penal të bashkëshortit të saj.
Sipas ligjit të Vetingut, është detyrim i komisioneres që të shmangë situatat e konfliktit të interesave. Po sipas këtij ligji, nëse komisioneri është në dijeni të konfliktit të interesave dhe nuk jep dorëheqjen nga trupa e përzgjedhur, atëherë kryen shkelje të rëndë disiplinore dhe shkarkohet nga detyra.
Por ligji, duket se nuk është i barabartë për të gjithë komisionerët. Suela Zhegu, në dt. 5 qershor 2018 do të japë verdiktin e saj nëse gjyqtari Edmond Islamaj e kalon apo jo Vetingun.
Publikuar nga Boldnews.al