Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) në Parlamentin Europian votoi sot pro liberalizimit të vizave për Kosovën, duke i hapur rrugë procesit të gjatë për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në zonën Schengen.
Sipas raportuesve nga komisioni, 46 anëtarë të Komisionit votuan në favor të vendimit, 16 ishin kundër dhe një abstenoi.
Ky votim i hap rrugën nisjes së procesit të gjatë teknik të bisedimeve. Pas bisedimeve në nivel teknik, do të nevojitet dhe votimi i Këshillit të Ministrave për të miratuar marrëveshja e plotë të liberalizimit të vizave.
Në media është spekuluar se vendet që janë kundër liberalizimit të vizave me Kosovën janë Franca dhe Holanda, si dhe pesë shtetet anëtare që ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarëve të së cilit i duhen viza për të udhëtuar në Zonën Shengen.