Komisioni për Statutin në PD miratoi vetëm propozimet e kryetarit të partisë Lulzim Basha për ndryshime në statutin e partisë.
Në mbledhjen e të mërkurës, Komisioni hodhi poshtë propozimet e paraqitura nga dy kandidatët për kryetar partie Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.
Propozimet e Bashës ishin:
Rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar nga 100 në 150 anëtarë, nga një listë e propozuar nga Kryetari i partisë.
Heqja e të drejtës së kryetarit të Këshillit Kombëtar për të thirrur këshillin, dhe ia ka lënë këtë të drejtë kryetarit ose kryesisë.
Heqja e përcaktimit se njëri prej nënkryetarëve “është kryetar i Grupit Parlamentar”.
Rritja e numrit të anëtarëve të Kryesisë së partisë.
Propozimet e Kadillit ishin:
Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Në rast të humbjes së zgjedhjeve largohet dhe nuk kandidon më.
Kryetari/kandidati për deputet i ZAZ, Kryetari i Degës, Kandidati për Kryetar Bashkie zgjidhen me primare nga vota e gjithë anëtarësisë.
Kandidaturat për deputet në nivel Qarku propozohen nga Kryetari i Partisë; Renditja e kandidaturave për deputet është tagër ekskluziv i Kryetarit të Partisë.
Propozimet e Harxhit ishin:
Kufizimi i mandatit të Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura
Zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, drejtpërdrejtë nga anëtarët e Partisë Demokratike.
Të vendoset detyrimi për publikimin e listës së anëtarësisë.
Komisioni statutor përbëhet nga Gazment Bardhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Grida Duma, Belind Këllici, Jorida Tabaku, Eno Bozdo dhe Enkelejd Alibeaj.
Të enjten, më 15 korrik, ndryshimet do të miratohen në Kryesi dhe me 17 korrik do të miratohen në Këshill Kombëtar.