Komiteti i Emergjencave Civile vendos rehabilitimin e dëmeve në Bërdicë

Nga Exit News
Komiteti i Emergjencave Civile vendos rehabilitimin e dëmeve në Bërdicë

Komiteti i Emergjencave Civile vendosi të hënën që të rehabilitojë dëmtimet në Bërdicë të Shkodrës, të shkaktuara si pasojë e daljes së lumit Drin nga shtrati.

Komiteti i Emergjencave, diskutoi në mbledhje së bashku me autoritete të tjera përgjegjëse për situatën mbi masat që duhen marrë në varësi të motit. Gjatë mbledhjes Komiteti u rikonsitutuua.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se është bërë i mundur evakuimi në kohë i familjeve të prekura dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë humbje jete.

I pranishëm në mbledhje ishte dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili tha:

 “Kanë qenë prurje të mëdha, ku Kaskada e Drinit ka shkaktuar disa fish më tepër dëme. Kemi mundur të largojmë nga rreziku të gjitha familjet. Nuk kemi dëme në njerëz, ndërsa edhe dëmet materiale i kemi minimizuar aq sa nuk ka të krahasuar me të shkuarën”.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se situata është nën kontroll, teksa bëri një bilanc të situatës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “është bërë e mundur hapja e të gjitha akseve, me përjashtim të Thethit”. Për këtëmajo kërkoi ndihmën e Forcave të Armatosura me mjete të rënda.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile “për të bërë të mundur që pas kalimit të situatës të ndërhyhet për rehabilitimin e dëmeve që ka sjellë dalja nga shtrati i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës”.

Pas datës 13 janar pritet edhe një përmirësim i kushteve atmosferike tha drejtori i IGJEUM. Kjo do të sjellë dhe tërheqjen e lumenjve brenda shtratit të tyre, tha ai.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>