Komiteti i Helsinkit: Vonesa në mbledhjen e kutive dhe në numërimin e votave

Komiteti i Helsinkit: Vonesa në mbledhjen e kutive dhe në numërimin e votave

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka përcjellë problemet që ka konstatuar deri më tani në procesin zgjedhor të 30 qershorit. Komiteti, që është vëzhgues në këto zgjedhje, thekson në një deklaratë se ka pasur probleme në procesin e dorëzimit të kutive si dhe në numërim. Ndërkohë më herët KSHH pati raportuar edhe raste problematike gjatë procesit të votimit.

Procesi i dorëzimit të kutive të votimit të KZAZ

Dorëzimet e kutive të votimit nëpër KZAZ, sipas Komitetit kanë ndodhur me vonesa dhe probleme të tilla ka pasur në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në Tiranë, në KZAZ-në nr.34 tek Vasil Shanto kutitë dhe materialet e votimit janë dërguar me shumë vonëse, ndërkohë që vëzhguesit e Komiteti të Helsinkit nuk janë lejuar teksa në ambientet e jashtme ka patur rrëmujë.

Në Durrës, në KZAZ-në nr.2 ka pasur vonesa në dorëzimin e kutive dhe në formimin e grupeve të numërimit.

Në Vlorë në KZAZ-në nr.84 në makinën ku do transportoheshin materialet, shoferi nuk lejoi që aty të ishin prezent kryetarja dhe sekretarja e qendrës së votimit si dhe punonjësi i policisë, me arsyen se nuk kishte vend në makinë. Ndërkohë që sipas nenit 114, pika 2 të Kodit Zgjedhor, dërgimi i kutive dhe materialeve të votimit drejt vendeve të numërimit bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit.

Në Gjirokastër, në KZAZ-në nr.78 kutitë e votimit kanë mbërritur pas mesnate, në ndryshim me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Rrjedhimisht edhe numërimi ka filluar më shumë vonësë.

Procesi i formimit të grupeve të numërimit dhe procesi i votimit

Në Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Fier, Durrës, Elbasan Komiteti i Helsinkit vëren se numërimi i votave ka nisur me vonesë, është ndërprerë herë pas herë dhe po bëhet me ritme shumë të ngadalta.

Në Gjirokastër, Komiteti raportoi se edhe pse kishte kaluar më shumë se një orë nga orari i njoftuar paraprakisht për nisjen e numërimit të votave, numërimi nuk kishte nisur. Madje nuk pati as justifikim për shtyrjen e fillimit të procesit apo njoftim se kur mund të fillonte më pas.

Në dy KZAZ në Tiranë, KZAZ 34 tek Shkolla Vasil Shanto, KZAZ 30 tek Shkolla 1 Maji, KZAZ 39 tek Muzeu, Komiteti vëren se, deri në deklaratën e bërë, numërimi nuk kishte nisur. Ndërsa në KZAZ 38, pranë shkollës së Kuqe, janë bërë pushime sporadike nga grupe të ndryshme dhe duke parë ritmin e ngadaltë, pritet që procesi i numërimit të votave të vijojë deri nesër.

Në Durrës po ashtu sipas Komitetit ka patur vonesa në formimin e grupeve të numërimit, trajnimin e tyre dhe nisjen e numërimit. Në një prej KZAZ-ve numërimi nuk ka nisur pasi mungon anëtari i Partisë Bindja Demokratike në grupet e numërimit.

Në Elbasan, megjithëse janë formuar grupet e numërimit, ata kanë bërë pushime të shumta dhe pritet që procesi të rifillojë në mesditë.

Në Shkodër KZAZ nr. 3 dhe nr. 4 kanë mbyllur numërimin për Kryetar Bashkie, ndërkohë për KZAZ 5 raportohet se ka përfunduar procesi i numërimit të votave për Kryetar Bashkie por nuk bëhet i ditur rezultati. Rreth orës 18:00, në këto KZAZ do të nisë procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Për sa i përket problemeve të pikasura gjatë procesit të votimit. KSHH raportoi se kishte pikasur një rast në Tiranë ku boja shenjuese e votuesve hiqej lehtësisht me ujë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>