Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar qeverisë mbylljen e burgut psikiatrit në Zahari të Krujës, për shkak të kushteve shumë të vështira ku mbahen të burgosurit me probleme mendore.
Në një letër publike drejtuar ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe asaj të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, KSHH sqaron se prej 18 muajsh kanë inspektuar burgun dhe kanë gjetur probleme të shumta me plotësimin e standardeve si mbipopullim i burgut, mungesë e stafit, etj,.
Disa nga problemet kryesore janë:
– Burgu psikiatrik i Zaharisë ka 284 të burgosur, kur kapaciteti maksimal i tij është 196 të burgosur.
– Një një dhomë me sipërfaqe 12 metra katrorë strehohen pesë të dënuar, në kundërshtim me standardet minimale të pranuara nga Këshilli i Europës që thotë se çdo i dënuar duhet të ketë 4-6 metra katrorë hapësirë në dhomë.
– Për 284 të burgosur burgu ka vetëm 2 mjekë psikiatër, një farmacist që punon me kohë të pjesshme dhe shumë pak sanitarë, ndaj në shumicën e kohës nevojat e të burgosurve për trajtim nga mjekët nuk mbulohen.
– Burgu nuk ka sistem ngrohjeje dhe të dënuarit me probleme mendore lejohen të mbajnë mjete ngrohëse nëpër dhoma, çka përbën rrezik për jetën e tyre dhe të të tjerëve.
– Ambientet e brendshme të burgut janë të dëmtuara, me myk dhe lagështi.
Për këto arsye, KSHH kërkon mbylljen e burgut psikiatrik të Zaharisë.