Tre organizata shqiptare të shoqërisë civile, Komiteti Shqiptarë i Helsinkit, Instituti i studimeve Politike, dhe Qendra për Studimet e Demokracisë dhe Qeverisjes monitoruan progresin e reformës në drejtësi.
Në raportin e tyre ato ngrejnë alarmin për progresin e ngadaltë të vetingut, të shkeljes së afateve kohore në vendosje e SPAK, mos vënien në listën prioritere të vetingut kandidatët për SPAK dhe për Prokurorë të Përgjithshëm, mungesa e koordinimit ndërinstitucional, dhe mungesa e transparencës.
Gjetjet e tyre duket se rezonojnë me atë çfarë Exit.al ka shkruar vazhdimisht që prej fillimit të reformës në drejtësi. Ekzaktësisht për faktin se kuadri ligjor i reformës në drejtësi u hartua nga burokratë shumë larg realitetit politik, duke krijuar një efekt kaskadë e cila e futi gjyqësorin në krizë edhe më të thellë nga më parë.
Përfundimet e tyre kryesore janë:
Reforma në drejtësi po zhvillohet me ritme shumë të ngadalta, si përsa i përket procesit të vettingut ashtu edhe ngritjes së institucioneve të reja.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga ngritja e KLP dhe KLGJ-së, ende nuk ka informacion në lidhje me ngritjen e SPAK.
KLGj, KLP si dhe organet e vettingut duhet të bëjnë transparencë në komunikim me publikun duke iu përgjigjur interesimit të tij për ecurinë dhe proceset në drejtim të ngritjes së institucioneve të SPAK dhe BKH, duke hedhur dritë mbi ecurinë e deritanishme për të shmangur politizimin.
Organet e vettingut ende nuk kanë trajtuar me përparësi rastet për rivlerësimin kalimtar për gjyqtarët kandidatë për gjykatat e posaçme dhe kandidatët për prokuror për SPAK.
Procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm po ecën me ritme të ngadalta ndërkohë që Shqipëria po mbush 15 muaj me Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.
3 prej anëtarëe të zgjedhur të KLP nuk kanë ende vendim përfundimtar të konfirmimit në detyrë, pasi vijojnë të jenë në pritje të gjykimit në shkallën e dytë të vettingut.
Procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm gjithashtu po ecën me ritme të ngadalta ndërkohë që Shqipëria po mbush 15 muaj me Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Shqetësim paraqesin edhe disa vendimmarrje të KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat kufizojnë aksesin për informim publik dhe monitorim para dhe gjatë realizimit të mbledhjeve plenare, duke [penguar] transparencën, krijon elementë të dyshimit në integritetin e aktivitetit të institucioneve dhe ndaj mund të cenojë besimin e publikut në rezultatet dhe ecurinë e procesit.