Komuniteti rom fiton çështjen për diskriminim kundër bashkisë Krujë

Komuniteti rom fiton çështjen për diskriminim kundër bashkisë Krujë

Lagjia e romëve në Fushë-Krujë ka fituar çështjen për furnizimin me uji të pijshëm ndaj Bashkisë Fushë -Krujë, tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, (ERRC).

Komisioneri gjeti se Bashkia e Krujës kishte diskriminuar familjet rome të lagjes “Kastriot” në bazë të etnisë dhe statusit ekonomiko-social të tyre. Ndaj, Komisioneri e urdhëroi bashkinë të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta korrigjuar situatën ose do të denohej me një gjobë. Rasti u dërgua tek Komisioneri nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), me mbështetjen e Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), të cilët ofruar provat për ndarjen etnike në aksesin ndaj ujit në Shqipëri.

Avokatja e ERRC Nicole Garbin tha:

“Mungesa e ujit të pijshëm dhe kushteve higjieno-sanitare është një çështje që prek romët kudo në Europë. Është një prej mënyrave më të ashpra dhe më të rrezikshme të manifestimit anti-rom.”

Zonja Garbin vazhdoi:

“Kërkimet tona tregojnë se romët përballen në mënyrë rutinore me diskriminim në ofrimin e ujit të pastër, pavarësisht se organet ndërkombërare e njohin dhe sanksionojnë atë si të drejtë të njeriut. Ky vendim thjesht kërkon që autoritetet të përmbushin detyrimin e tyre për të ofruar një nevojë njerëzore bazë për akses në ujë dhe higjenë.”

Ndërsa, Rovena Vuksani nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit u shpreh:

“Furnizimi me ujë është një e drejtë e njeriut dhe në Shqipëri është një shërbim publik. Kompania e ujësjellësit detyrohet me ligj ta përmbushë këtë shërbim dhe nuk mund të refuzojë në mënyrë arbitrare që t’i ofrojë ujë një lagjeje të tërë. Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe kapërcimit të diskriminimit institucional me të cilin romët përballen në Shqipëri. Do të monitorojmë veprimet e bashkisë me kujdes gjatë 30 ditëve të ardhshme për t’u siguruar që do të ndërmarrin masa urgjente për të siguruar ujë të pastër.”

Rreth 250 familje rome, rreth 1,500 persona kanë denoncuar mungesën e ujit të pastër në vitin 2013, ndonëse Ujësjellësi i ri ishte vënë në funksion për gjithë qytetin në vitin 2005.

Banorët e lagjes “Kastriot” shprehen se tubat e ujësjellësit kishin ardhur deri në lagjen e tyre, por punonjësit e Bashkisë nuk kishin bërë lidhjen e tubave me çezmen. Banorët furnizohen me uji të pijshëm përmes puseve të hapura në oborret e shtëpive private. Ndaj në 2014, uji i ndotur i puseve shkaktoi hepatitit A. Ndonëse kjo u bë lajm dhe autoritetet ishin në dijeni të epidemisë shëndetësore, autoritetet shtetërore nuk morën asnjë masë.

Kompania e Ujësjellës-kanalizimeve u shpreh se e kishite përmbushur detyrimin e tyre ligjor për të ofruar ujë, pasi tubat e furnizimit janë vënë, por nuk e kanë lidhur sepse nuk ka pasur kërkesa nga banoret.

Ky lajm u bë publik nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>