Rreth 100 familje të komunitetit rom në Nishtullë të Durrësit janë braktisur nga qeveria dhe bashkia, si pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit, ashtu dhe gjatë pandemisë.
Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi ka vizituar, të mërkurën, komunitetin rom për tu njohur nga afër me problemet e tyre.
Një prej banorëve u shpreh se pavarësisht se shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga tërmeti, ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria. Po ashtu ai tha shumica e familjeve janë në kushte shumë të vështira ekonomike, ‘të zhytur në borxhe dhe duke blerë ushqime me listë në dyqane.’
“Fëmijët tanë romë janë të varfër, pandemia na ka mbytur fare, tërmeti na ka dëmtuar. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, asnjë bonus. Ndihmat na kanë ardhur nga Kosova. Nga qeveria nuk na kanë ardhur. S’kemi pasur asnjë mbështetje as nga Bashkia, megjithëse jemi rreth 100 familje”, u shpreh banori.
Në prag të vitit të ri shkollor, banorët u shprehën se nuk kanë mundësi për tu blerë librat dhe materialet e tjera fëmijëve. Të tjerë ngritën shqetësimin se megjithëse kanë fëmijë ose familjarë të sëmurë e të paralizuar, nuk marrin asnjë asistencë apo pagesë sociale nga shteti.
Ish-deputetja Vokshi premtoi qeveria e drejtuar nga PD-ja do të ketë në fokur punësimin dhe mbështetjen për komunitetin rom. Ajo tha se qeveria Rama i vjedh fondet e parashikuara për komunitetin rom:
“T’i bëjmë thirrje, jo qeverisë së sotme, sepse harrojeni që ajo do të mendojë për ju, ju ka lënë të braktisur kaq vite, por ne do të mundohemi që të rikthejmë vëmendjen ndaj komunitetit. Ju takon.
Asgjë të jashtëzakonshme nuk do të bëjmë, vetëm do të zbatojmë ligjet, do të zbatojmë programet. Janë fondet që janë të dedikuara për komunitetin rom që vidhen dhe shkojnë në xhepat e tjetër kujt dhe nuk vijnë për mbështetjen tuaj.”