Më 28 korrik, kongresmeni amerikan Ted Poe, bashkë me 4 të tjerë, propozoi një projekt-ligj në Dhomën e Përfaqësuesve, ku i bën thirrje qeverisë amerikane të kërkojë nga qeveria irakiane të kompesojë muxhehedinët, që këta të fundit të financojnë jetesën në Shqipëri.
Më saktësisht, kongresmenët kërkojnë që qeveria e Irakut “të kompensojë banorët e mëparshëm të kampit Ashraf për pasuritë e tyre të konfiskuara”.
Kampi Ashraf ishte vendi i zhvendosjes së Organizatës së Muxhahedinëve Popullorë të Iranit (MEK) deri në vitin 2009. Ky kamp ishte nën mbrojtjen e SHBA-ve. Pasi rreth 2,700 muxhahedinë u zhvendosën në Shqipëri, Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara për Irakun (UNAMI) vendosi se pronat në kampin që u përkasin anëtarëve të MEK-ut do të mbeteshin në zotërim të tyre dhe mund të shiteshin prej tyre.
Megjithatë, qeveria e Irakut i ndaloi anëtarët e MEK-ut të shesin pronat e tyre, të cilat u konfiskuan.
Projektligji I bën thirrje qeverisë amerikane që të kërkojë nga qeveria irakiane kompensimin e anëtarëve të MEK-ut për pronat e tyre të konfiskuara “me qëllim financimin e kostove të tyre të jetesës dhe akomodimit afatgjatë në vendet e tyre të reja të strehimit, veçanërisht në Shqipëri”.
Kohët e fundit, disa politikanë amerikanë, kryesisht të Partisë Republikane, kanë vizituar përfaqësues të MEK në Shqipëri. Në pothuajse të gjitha këto raste, vizita e tyre nuk u bënë publike nga Ambasada e SHBA-ve apo nga qeveria shqiptare.
Një përshkrim më të detajuar të rrjedhës së vendosjes së muxhahedinëve në Shqipëri mund ta lexoni këtu.