Gjashtë kongresmenë republikanë kanë kërkuar hetim dhe shkarkim të ambasadorit amerikan në Maqedoni Jess Baily, pasi e akuzojnë atë për ndërhyrje në politikën e brendshme të Maqedonisë.
Sipas kongresmenëve, mes tyre dhe Christopher Smith, përfaqësuesi i New Jerseyt dhe një prej kongresmenëve më të vjetër, ambasadori Baily ka mbështetur në mënyrë të hapur partinë LSDM dhe ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në politikën e brendshme të Maqedonisë.
Në janar, kongresmenët i kanë dërguar një letër ambasadës amerikane në Maqedoni ku kërkonin përgjigje për ndërhyrjet e ambasadorit në favor të palëve të caktuara. Kongresmenët kanë kërkuar dhe transparencë mbi financimin nga ambasada të aktiviteteve të organizatave joqeveritare të lidhura me fondacionin e George Soros. Kërkesës së kongresmenëve, ambasada amerikane në Maqedoni nuk i është përgjigjur. Kjo ka bërë që Smith dhe kongresmenët e tjerë të kërkojnë hetim dhe shkarkim të ambasadorit.
“Ambasadori amerikan nuk duhet të ketë një rol në formimin e qeverisë ose të marrë anë gjatë procesit së bërjes së koalicionit. Ne mbështesim zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por nën asnjë rrethanë nuk duhet mbajtur anë. Kjo nuk është puna e tij! Ky ambasador (Jess Baily) ka marrë anë dhe duhet shkarkuar menjëherë!” shkruhej në deklaratën e kongresmenëve.