![farmaci maska Konkurrenca gjobit me 280 mijë euro farmacitë që rritën çmimin e maskave e alkoolit](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/02/farmaci-maska.jpg)
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur një sërë rrjetesh farmaceutike, të cilët kanë abuzuar me rritjen e pajustifikuar të çmimit për produkte shumë të shitura gjatë pandemisë së Covid-19, si maska, doreza, alkool dhe gel-dezinfektant.
Subjektet e gjobitura janë 23 farmaci dhe një kompani që prodhon pije dhe produkte të ndryshme alkoolike.
Sipas vendimit, gjobat e vendosura variojnë nga 1 deri në 2 milionë lekë të reja për subjekt, në total 34 milionë lekë ose rreth 280 mijë euro.
Autoriteti Konkurrues ka konstatuar rritjen e pajustifikueshme të çmimeve të produkteve duke ngritur dyshime të arsyeshme për ndarje të tregut, paracaktimin e çmimeve të blerjes dhe shitjes duke kushtëzuar kontratat e furnizimeve.
Në shkurt, prokuroria e Tiranës nisi hetimet për abuzimet me çmimet për produktet bazë farmaceutike që shërbenin për parandalimin e infektimit si maska apo dezinfektantë.
Në media u raportuan disa raste të abuzimeve me produktet, psh një dezinfektues në sasi të vogël, që deri pak ditë më parë kushtonte 100 lekë, në shkurt u shit për 600 lekë; ndërsa një maskë e thjeshtë me çmim 50-100 lekë, shitej me një çmim prej 1000 lekësh.