Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë sipas agjencisë së SHBA për motin

Nga Exit News
Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë sipas agjencisë së SHBA për motin

Korriku ishte muaji më i nxehtë në 142 vite prej kur ka nisur matja dhe regjistrimi i temperaturave, njoftuan zyrtarët e motit në SHBA.

Ndërsa valët ekstreme të nxehtësisë goditën pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, globi mesatarisht arriti në 16.73 gradë Celsius muajin e kaluar, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në korrik 2016, 2019 dhe 2020 tha Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA).

Shtatë korrikët e fundit, nga 2015 në 2021, kanë qenë shtatë korrikët më të nxehtë të regjistruar, tha klimatologia e NOAA Ahira Sanchez-Lugo.

Korriku i 2021 ishte 0.93 gradë Celsius më i ngrohtë se mesatarja e shekullit të 20-të për këtë muaj.

Administratori i NOAA, Rick Spinrad në një deklaratë për shtyp tha se ky rekord i ri “shton shqetësimet që ndryshimi i klimës paraqet për globin.”

Në fillim të kësaj jave, një panel shkencor prestigjioz i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi përkeqësimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror dhe aktiviteteve të tjera njerëzore.

Ngrohja në tokë në Amerikën Veriore perëndimore dhe në pjesë të Evropës dhe Azisë nxiti nxehtësinë rekord, tha Sanchez-Lugo.

Ky vit deri më tani është i gjashti më i nxehti i regjistruar. Kjo është kryesisht për shkak se viti 2021 filloi më i ftohtë se vitet e fundit për shkak të ftohjes La Nina të Paqësorit qendror që shpesh zvogëlon mesataren e temperaturës globale, tha Sanchez-Lugo.

Herën e fundit që globi kishte një temperaturë më të ftohtë në korrik sesa mesatarja e shekullit të 20-të ishte në 1976, i cili ishte gjithashtu viti i fundit që globi ishte më i ftohtë se normalisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>