Bizneset nuk shikojnë përmirësim të situatës për aktivitetet e tyre në Shqipëri sipas anketës së Dhomës Amerikane të Tregëtisë për vitin 2020. Indeksi i saj që mat besimin e biznesit shënoi rënie me 0.5% nga viti 2019 duke shënuar vlerën më të ulët që kur ka nisur të matet në vitin 2012.
Ndikimi i pandemisë dhe shkalla e ulët e përmirësimit të treguesve ekonomike janë faktorët kryesore që kanë ndikuar në uljen e besimit. Krahasuar me një vit më parë rënia është më e butë. Në 2019 indeksi ra me 5% por ajo që vihet re është se problemet krysore që perceptojnë bizneset janë të njejtat.
Performanca e ekonomisë shqiptare, klima e biznesit, krijimi i monopoleve dhe konkurenca e padrejtë janë problemet kryesore për bizneset.
Shqetësues për bizneset janë janë niveli i korrupsionit, sistemi i taksave dhe burokracitë.
Një nga treguesit më të rëndësishëm, Klima e Biznesit shënoi sërish rënie krahasuar me një vit më parë.
Më shumë se 71% e të anketuarve e perceptojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme.
80% e të anketuarve deklaruan se ecuria e ekonomisë shqiptare ka rënë gjatë vitit 2020.
I njëjti perceptim vërehet në disa nga treguesit kryesorë të ekonomisë, si shkalla e investimeve, kërkesa për mallra dhe shërbime, eksportet dhe punësimin. Sistemi i taksave konsiderohet jokonkurrues në nivel rajonal duke treguar nevojën për politikave ekonomike me efekt stimulues.
Anketa tregon përmirësime në marrëdhëniet e bizneseve me disa nga institucionet më të rëndësishme publike dhe autoritetet qeveritare. Shumica e të anketuarve kanë një perceptim pozitiv të marrëdhënies së tyre me autoritetet tatimore, autoritetet doganore, qeverisjen vendore dhe ministritë.