
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë Donika Gërvalla e quajti të rrezikshme për Kosovën nismën “Ballkani i Hapur”.
“Ballkanin e Hapur e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, u shpreh Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, sipas REL.
“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Proces i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë iniciativë, Republika e Kosovës është shtet i barbartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar të enjten edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.