Ministria e Mbrojtjes së Kosovës përgënjeshtroi të shtunën zërat se ka urdhëruar ndërhyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në kufirin verior të vendit.
Në një deklaratë të shpërndarë në media, ministria pohoi se bëhet fjalë për dizinformim që ka për synim krijimin e ndjenjave të pasigurisë mes komunitetit serb.
“Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb,” citohet ministria në një raportim të REL.
Po ashtu, në njoftim theksohet se FSK-ja realizon detyrat dhe kompetencat në përputhje me Kushtetutën, si dhe në koordinim me autoritetet shtetërore e KFOR-in.
Prej pesë ditësh dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës qëndrojnë të bllokuara pasi komuniteti serb kundërshton vendimin e qevrisë Kurti për vendosjen e reciprocitet në lidhje me njohjen e targave të lëshuara nga Serbia.
Autoritetet e Kosovës nisën të zbatojë të njëjtën masë që zbaton Serbia ndaj makinave me targa të Kosovës: pajisjen në kufi me targa të përkohshme të makinve që hyjnë në Kosovënga vendi fqinj.
Serbia e ka zbatuar një masë të tillë ndaj makinave nga Kosova që kur kjo shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Palët nuk bien dakord dhe akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura gjatë negociatave.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe BE-ja ka tentuar të ndërmjetësojë mes palëve.
Kryeministri Kurti propozoi të mërkurën që Kosova dhe Serbia të heqin bashkarisht targat e përkohëshme për automjetet që lëvizin mes dy vendeve.
Ai ftoi serbët e Kosovës të hiqnin barriadat e vendosura në rrugët kufitare, pasi përshkallëzimi nuk ishte në interesin e askujt.
Por, vetëm një ditë më parë presidenti serb Vuçiç ritheksoi se qëndrimi i tij për situatën e krijuar nuk do të ndryshojë pavarësisht ndërmjetësuesve dhe se politikat reciproke ishin një kurth për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Prishtina e akuzon Beogradin se kërkon të krijojë perceptimin publik mbi një konflikt mes komunitetit serb dhe forcave kosovare të rendit në kufirin verior.