Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha sot se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht se pas largimit të Listës Serbe nga koalicionit, qeveria nuk ka më shumicën.
“Dorëheqjen nuk kam në plan me e dhanë. Punën kam me vazhdu”, u shpreh Zoti Haradinaj në një konferencë për shtyp.
Kryeministri tha se vendimi i Listës Serbe është i pakuptueshëm.
Largimi i Listës Serbe nga qeveria, një ditë më parë, erdhi pas arrestimit të zyrtarit serb Marko Gjuriç dhe largimit të tij nga Kosova.
Marko Gjuriç, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, u arrestua dje në Mitrovicë, pasi kishte hyrë pa leje dhe po organizonte tubim.
Arrestimin e Gjuriç, Kryeministri Haradinaj e ka quajtur “një situatë standarde të zbatimit të ligjit” dhe shtoi se një reagim i tillë nga policia kosovare do të ndodhte kundrejt çdo personi.
Me largimin e Listës Serbe nga qeveria, në koalicion kanë mbetur PDK, AAK, NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, të cilët nuk arrijnë të formojnë shumicën.
Duke argumentuar mos dhënien e dorëheqjes, Kryeministri Haradinaj tha se pas largimit të LS-së, ka marrë mbështetjen e shumë deputetëve të tjerë që nuk ishin më parë pjesë e koalicionit.