
Kolegji i Posaçëm të Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar nga detyra ish-kryetaren e Gjykatës së Gjirokastrës Albina Spaha, për shkak se nuk justifikonte pasurinë.
Shkarkimi i saj nga KPK u argumentua me mungesën e burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti si dhe deklarimi i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.
Kryegjyqtarja e Gjirokastrës u penalizua edhe nga punësimi i bashkëshortit si ekspert në Gjykatën Administrative, i vlerësuar nga trupa gjykuese në kundërshtim me legjislacionin tatimor, raporton BIRN.
Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998, fillimisht si gjyqtare në Tepelenë dhe më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ajo u komandua në krye të Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të Guximtar Boçit.