
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK) konfirmoi sot Kryetarin e Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi, pavarësisht problemeve me pasurinë e tij.
Sipas hetimit, rezultoi se zoti Roshi zotëronte një të tretën e një apartamenti të blerë nga babai, për 49 mijë euro në vitin 2006. Zoti Roshi, në vitin 2012, e shiti apartamentin dhe pjesën e vet takuese prej 1.5 milionë lekë e kishte jashtë sistemit bankar për katër vite.Kjo ngjalli dhe kureshtjen e vëzhguesit të ONM, Theo Jacobs, i cili e pyeti Roshin nëse për katër vjet këto para i kishte mbajtur poshtë dyshekut. Sipas Jacobs, mosdeklarimi i një shume të tillë nuk është normale .
Pavarësisht kësaj, KPK vlerësoi se Roshi kishte burime të justifikuara të pasurisë dhe gjithashtu deklarim të saktë të tyre.
Roshi pati vlerësim pozitiv edhe për aftësistë personale dhe pastërtinë e figurës. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa ( Bungo), Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.