Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Alaudin Malaj, pasi ai dha dorëheqjen nga posti. Vendimi u mor të martën nga trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.
Në korrik Malaj dha dorëheqjen nga posti i gjyqtarit të Apelit.Në dhjetor të 2019, ai tregoi në një intervistë në Top Channel se i ka kërkuar mbrojtje institucioneve shqiptare për veten dhe familjen e tij.
Gjyqtari i Apelit tha se në një letër dërguar 11 institucioneve ai ka kërkuar mbrojtje fizike “për shkak të rrethanave jo te zakonshme”.
Alaudin Malaj është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm.
Gjithashtu, Malaj ishte një nga 5 anëtarët e trupit gjykues që dhanë pafajësi për të gjithë anëtarët e organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Madje në 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin ndaj 5 gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda, me kërkesë të ish-presidentit Bujar Nishani.