Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra, të hënën, gjyqtarin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Bib Ndreca, për shkak të problemeve me pasurinë.
Vendimi u mor nga Xhensila Pine, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.
Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Sipas KPK-së, Ndreca ka deklaruar jo saktë burimet për blerjen e tre ngastrave tokë-arë në Fushë-Mamurras ku janë ndërtuar dhe disa ndërtesa, për të cilat ka deklaruar si burim të ardhurat e vëllezërve nga emigrimi pa paraqitur dokumente për këtë.
Po ashtu, Ndrecaj ka deklaruar se i vëllai i ka dhuruar një makinë dy javë pasi ai nisi punën si gjyqtar.
KPK gjeti probleme dhe me blerjen e një apartamenti 84 metër katrorë në Tiranë në vitin 2012 me vlerë 40 mijë euro. Si burim të ardhurash, Ndreca ka deklaruar një hua të marrë nga vëllai, 5 mijë euro kursime dhe një kredi.
KPK vlerësoi se vëllezërit e gjyqtarit Ndreca nuk kanë pasur mundësi për kryerjen e këtyre investimeve.
Procesi i vetungut ndaj Ndrecës ka nisur në shkurt 2020 por ka zgjatur më shumë se zakonisht pasi Ndreca kërkoi rihapja të hetimit. Fillimisht KPK kishte bërë vetëm hetimin e pasurisë për gjyqtarin, ndërsa Ndreca kërkoi rihetim dhe për dy treguesit e tjerë: pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.