Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të premten gjyqtaren e Apelit Tiranë, Evjeni Sinojmeri.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi.
KPK gjeti se mosparaqitja në punë prej më shumë se 6 muajsh ishte gjetur si shkelje e përsëritur disiplinore.
Komisioni konstatatoi se Sinojmeri kishte blerë disa pasuri të paluajtshme në vitet 2000-2004, për të cilat nuk kishte deklaruar burimin në asnjë prej deklaratave periodike dhe as në deklaratën veting.
Gjithashtu gjyqtarja rezultonte me bilanc negativ në shumën 4.2 milionë lekë per vitin 2004 kur kishte blerë disa apartamente në Tiranë dhe në Durrës.
Pamundësi financiare është konstatuar edhe për blerjen në vitin 2000 të një apartamenti në Rrugën e Elbasanit pasi rezultonte me balancë negative në shumën 2.4 milionë lekë.
Gjyqtarja Sinojimeri nuk ishte e pranishme në seancën e shpalljes së vendimit pasi ishte në SHBA.