Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të mërkurën gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Shkëlqim Mustafa.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.
Komisioni ngriti dyshime për pronësinë e një apartëmenti në Tiranë të padeklaruar. Gjyqtari e konsideroi harresë mosdeklarimin e tij për tre vite.
Komisioni gjeti se gjyqtari Mustafa nuk ka deklaruar posedimin e një autoveture tip Benz, të blerë në shumën 35 mijë euro dhe 800 mijë lekë vlera e doganës, nga një i afërm i tij.
Komisioni argumetoi se i afërmi i gjyqtarit nuk kishte të ardhura mjaftueshëm për blerjen e automjetit të mësipërm.
Shkëlqim Mustafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në 98-ën. Po atë vit është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ka ushtruar detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.